Skandali i kamerave kineze te AKSHI: Zhduken dokumentet

Karçanaj fshin dokumentet për kamerat e Doganave

Favorizim ‘Albascanit’ të vëllezërve Jorgji

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), nën drejtimin e Mirlinda Karçanajt, ka rishpallur një tender për kamerat e sigurisë në dogana, pasi zhduku në mënyrë të dyshimtë të gjithë dokumentacionin e procedurës së mëparshme. Kjo lëvizje u denoncua nga kompania CSP pranë Komisionit të Prokurimit Publik (KPP), me pretendimin se prokurimi është manipuluar për të favorizuar kompaninë AlbaScan, përfaqësuese e markës kineze Uniview, e ndaluar nga SHBA për arsye sigurie kombëtare.

Sipas ankesës, AKSHI ka fshirë të gjithë historikun nga sistemi i prokurimeve publike dhe ka hequr kriterin teknik kryesor që përjashtonte produktet kineze të sanksionuara. Rrjedhimisht, rregullat janë qepur me porosi për të përshtatur pajisjet Uniview, të cilat janë të ndaluara nga NDAA në SHBA për shkak të rrezikut të spiunazhit kibernetik.

Në lojë janë miliona euro tenderë, jo vetëm për kamerat e doganave, por edhe për Portin e Durrësit dhe burgjet shqiptare. AlbaScan kompania e blerë në 2019 për vetëm 150 mijë lekë nga vëllezërit Elton dhe Elision Jorgji  ka shpërthyer në përfitime nga fondet publike, në partneritet me kompaninë ABS të Gerond Meçes, një emër i lidhur drejtpërdrejt me baxhanakun e Kryeministrit Edi Rama, Armand Frangu.

“AlbaScan” kompania e pajisjeve që nuk funksiononin në Burgun e Peqinit

Kompania “Albascan” në bashkëpunim me firmën e Gerond Meçes ABS përfituan kontratën për sigurinë në burgje.  Në tetor 2022, u shpall tenderi me objekt “Mirëmbajtja e sistemit të sigurisë në 18 Institucione të Ekzekutimeve të Vendimeve Penale”, në interes të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Vlera e tenderit ishte 611 milionë lekë të reja.”. Kontrata e këtij parashikonte mirëmbajtjen e sigurisë në burgje, përfshirë vëzhgimin me kamera, ndërrimin e kamerave të vjetra që mund të ishin të dëmtuara ose amortizuara.

ADVANCED BUSINESS SOLUTIONS –ABS sh.p.k”, ka si pronar kryesor Gerond Meçen. Deri në dhjetor 2024, më shumë se 53 milionë euro tendera të AKSHI-t, janë përfituar nga kompanitë e shtetasit Gerond Meçe. Ky i fundit, pasi ka përfituar tenderat, nga AKSHI, ia ka kaluar punimet kompanive të Armand Frangut, i cili është gjithashtu ortak i Gerond Meçes në dy kompani.

Meçe është ortak biznesi i Armand Frangut, i njohur si baxhanaku i Kryeministrit Edi Rama. Kompania ABS, e përdorur nga Meçe për të fituar tenderat e AKSHI-t, ka një rritje galopante të xhiros nga viti 2012, kur deklaronte xhiro 131 milionë lekë e deri në vitin 2024 kur xhiro ka arritur në mbi 18 milionë euro.

Baxhanaku i kryeministri Edi Rama, sipas të dhënave të siguruara nga QKB, rezulton aksioner në 2 kompani, B360 e bashkëthemeluar me Gerond Meçe dhe SIRMA e themeluar në vitin 2017 me ortak kompaninë SIRMA inc ku Armand Frangu ka në zotërim 45% të aksioneve. Të dyja këto firma kanë si objekt shërbimet IT.

Nga ana tjetër, Ermonela Denaj, drejtoreshë e I-gov pranë AKSHIT, është njëkohësisht kunata e Gerond Meçes, njeriut që merr tenderat nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit dhe më pas kanalizon te Armand Frangu. Denaj gjithashtu ka qenë në disa projekte edhe si përgjegjëse për zbatimin e kontratës, duke pasur konflikt të hapur interesi, me biznesmenin Gerond Meçe.

E dyta kompani, AlbaScan, është një firmë e cila bashkëpunon me Meçen dhe në brenda pak vitesh ka xhiruar miliona euro.

Në dhjetor 2023, Sokol Mjacaj, i dënuar përjetë për krime të rënda, qëlloi me një pistoletë me mulli dy të burgosur të tjerë  në ambientet e burgut të sigurisë së lartë në Peqin. Një i vdekur dhe një i plagosur. Arben Lleshi, objektivi i Mjacajt, ka humbur jetën menjëherë, ndërsa Indrit Shaqja mbetet i plagosur, duke qenë edhe dëshmitari kryesor i asaj çfarë ndodhi.

Arma, e futur mbi dy javë përpara ngjarjes në qelinë e Mjacajt, kthehet në strumbullarin që futi në qeli të gjithë ekipin drejtues të Burgut të Peqinit, të cilët deri atë ditë kishin detyrë ta mbikëqyrnin Mjacajn dhe shokët e tij.

Nga hetimi rezultoi se kamerat nuk punonin. As skaneri nga ku kalon gjithçka drejt qelive nuk funksiononte, duke ngritur mjaft pyetje për sigurinë në burgje.

E themeluar vetëm pak vite me parë, Albascan është shndërruar rrufeshëm në një përbindësh të fondeve publike. Në vitin 2017, kompania kishte një xhiro totale prej vetëm 50 mijë eurosh për të gjithë vitin. Por sot ajo merr mesatarisht 1.8 milionë euro në muaj pagesa nga Thesari i Shtetit për kontratat publike.

Albascan u krijua në shkurt të vitit 2017 nga dy ortakë, Sokol Cane dhe Etmira Dashi. Gjatë kohës që ishte në pronësinë e tyre kompania mbeti një biznes i vogël me xhiro të papërfillshme. Ngjitja e saj erdhi në vitin 2019.

Në janar të vitit 2019 kompania u ble nga Elton dhe Elision Jorgjis për 150 mijë lekë. Menjëherë sapo u ble nga dy pronarët e rinj, xhiro e kompanisë kërceu në 110 milionë lekë nga 19 milionë që kishte qenë në vitin 2018.

Një nga çelësat e suksesit të Albascan ka qenë partneriteti i saj me Advanced Business Solutions, e cila zotërohet nga Gerond Meçe. Të dy kompanitë kanë fituar në partneritet së bashku tendering 6 milionë euro për sigurinë në burgje, atë 16 milionë euro për implementimin e laboratorëve smart në shkolla si dhe disa kontrata të tjera.

Rikthimi për kamerat e burgjeve

Mirlinda Karçanaj, drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) kërkon t’u japë sërish kontratën e kamerave për burgjet këtyre dy biznesmenëve që e kanë kapur AKSHI-in dhe po e mjelin.

Bëhet fjalë për fondin 619796658 lekë i cili është duke u prokuruar nga AKSHI me objekt “Mirëmbajtje e Sistemit të Sigurisë në IEVP për Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve”

Tenderi është njoftuar më 10 prill 2025, ndërsa afati i fundit për paraqitjen e ofertës është më 12 maj 2025. Për momentin tenderi është pezulluar deri në shqyrtimin e denoncimit të bërë nga kompania “AESS” shpk me pronar  Lefter Klemon, e cila kërkon të ndryshojnë kriteret dhe specifikimet teknike, pasi fituesi është i paracaktuar.

Vetëm në sektorin e burgjeve, këto kompani kanë marrë kontrata prej mbi 600 milionë lekësh, pavarësisht skandaleve si ai i Peqinit, ku një ngjarje me viktimë zbuloi se kamerat e sigurisë nuk funksiononin.

AKSHI po çon përpara një tjetër tender me vlerë mbi 619 milionë lekë, ku sërish AlbaScan dhe ABS janë favoritet, ndonëse operatorët konkurentë kanë kërkuar pezullim të procedurës për shkak të kritereve diskriminuese dhe mungesës së certifikimeve të sigurisë.

Përballë këtyre zhvillimeve, kërkohet një hetim urgjent dhe i pavarur nga APP dhe institucionet ligjzbatuese për të ndalur përshkallëzimin e një modeli klientelist që kërcënon sigurinë kombëtare dhe deformon hapur tregun publik të prokurimeve.

Publikuar nga Publik Media