SKANDALI I MBETJEVE TOKSIKE NË PORTO ROMANO

Pse Prokuroria po “vret” çështjen e kontenierëve të rrezikshëm të rikthyer nga Tajlanda?

Publik.al – Investigim i redaksisë mbi skandalin e Porto Romanos

Tetë muaj pas kthimit në Shqipëri të 102 kontenierëve me mbetje të dyshuara si të rrezikshme, Prokuroria e Durrësit vijon të zvarrisë hetimet me një justifikim që po bëhet qesharak: “nuk gjejmë dot laborator për analizimin e mostrave”. Nëse nuk do të ishte përmasat e rrezikshme të këtij skandali, ky pretendim do të dukej thjesht si paaftësi teknike. Por faktet tregojnë qartë një strategji të qëllimshme për të varrosur të vërtetën dhe për të mbrojtur përgjegjësit.

Më 28 tetor 2024, anija turke “Molivia” u kthye në Portin e Durrësit duke sjellë mbrapsht 102 konteinerë të nisur më herët nga Shqipëria drejt Tajlandës, por që u bllokuan në det pas alarmit të dhënë nga organizata ndërkombëtare mjedisore “Basel Action Network” (BAN). Dyshimet janë të qarta: tonelata me mbetje të rrezikshme, të krijuara nga filtrat e oxhaqeve të kompanisë metalurgjike Kurum International, ishin nisur në mënyrë të paligjshme nga kompania “Sokolaj shpk” drejt vendeve të Azisë, duke shkelur konventën e Bazelit për ndalimin e eksportit të mbetjeve të rrezikshme nga vendet e zhvilluara drejt atyre në zhvillim.

Prokuroria: zvarritje dhe kontradikta

Në vend që të kryente analizat e shpejta laboratorike për të konfirmuar natyrën e rrezikshme të mbetjeve, Prokuroria e Durrësit  e drejtuar nga Suela Beluli ka konsumuar, tetë muaj në “kërkim të një laboratori. 

Edhe më keq, në mars të këtij viti, e njëjta prokurori deklaroi publikisht se testimet kishin filluar. Por në qershor, BIRN zbuloi se testimet nuk janë bërë kurrë. Sot, në verën e 2025-ës, asnjë mostër nuk është analizuar, asnjë person nuk është ndëshkuar, dhe mbetjet qëndrojnë të pambuluara në Porto Romano, afër zonave të banuara.

Laboratorët ekzistojnë, por nuk duan t’i përdorin

Pretendimi se “nuk gjendet laborator në Shqipëri” bie ndesh me realitetin: sipas një investigimi të BIRN, brenda një ore ishin të gatshëm dy laboratorë të akredituar që mund të kryenin analizat për vetëm 306 euro për mostër. Pse atëherë refuzon Prokuroria t’i përdorë? Përgjigjja e mundshme jepet nga vetë drejtori i BAN, Jim Puckett, i cili thotë hapur: “Ky është një skandal që mban erën e ndërhyrjes politike”.

Edhe aktivisti shqiptar Lavdosh Feruni është i prerë: kjo nuk është çështje parash, por një lojë për ta çuar çështjen drejt harresës. “Kemi bërë analiza për metale të rënda që pas Gërdecit, nuk ka pasur ndonjëherë problem me kostot”, thekson ai.

Sokolaj dhe “rrjeta” e mbetjeve

Gjovana e Olizana, mbretëreshat e trafikut të mbetjeve toksike, në skenë turku Serdar Can Hakliol dhe linja Kroaci-Durrës

Prokuroria e Durrësit ka identifikuar kompaninë “Sokolaj shpk” në pronësi të Gjovana Sokolajt, si eksportuesen e këtyre konteinerëve. Por kjo është vetëm maja e ajsbergut.

Sipas të dhënave zyrtare dhe burimeve të Publik.al, nga viti 2020 deri më 2023, janë eksportuar ilegalisht rreth 20 mijë ton mbetje industriale, kryesisht nga “Kurum” në Elbasan, drejt vendeve të Azisë dhe Lindjes së Mesme. Kjo është një shkelje flagrante e ligjeve shqiptare, konventës së Bazelit dhe rrezikon jetën e qytetarëve.

Kush e mbron këtë rrjet trafikimi mbetjesh të rrezikshme? Pse SPAK nuk ka ndërhyrë në këtë rast? Pse Ministria e Mjedisit nuk ka ndërmarrë asnjë masë për ndalimin e këtij aktiviteti të rrezikshëm?

Rreziku për shëndetin publik

Porto Romano është vetëm pak kilometra nga qendra e qytetit të Durrësit. Era e rëndë që shpesh vjen nga zona e mbetjeve nuk është më thjesht ndotje por mund të jetë toksinë e pastër. Dioksinat dhe metalet e rënda si kadmiumi, plumbi, kromi dhe arseniku janë vdekjeprurëse në ekspozim afatgjatë. Dhe ndërsa institucionet zvarrisin hetimet, këto mbetje po avullojnë në ajër, depërtojnë në ujë dhe rrezikojnë mijëra qytetarë.

Një drejtësi që mbron krimin mjedisor

Ky rast është prova më e qartë e kapjes së drejtësisë nga interesa korruptive dhe lidhje të errëta politike. Në vend të hetimeve të shpejta dhe transparente, kemi heshtje, gënjeshtra, dhe strategji për t’i lënë mbetjet të kalben bashkë me të vërtetën.

Publik.al kërkon:

  1. Hetim të menjëhershëm nga SPAK mbi përfshirjen e Prokurorisë së Durrësit dhe rolin e saj në zvarritjen e hetimit.
  2. Analiza urgjente nga një laborator ndërkombëtar i pavarur, të përzgjedhur nga një komision i përbashkët i përfaqësuesve ndërkombëtarë dhe shoqërisë civile.
  3. Vendosje nën hetim të drejtuesve të kompanive “Kurum” dhe “Sokolaj” për kontrabandë me mbetje të rrezikshme.
  4. Informim transparent ndaj publikut mbi rrezikun shëndetësor që mbartin këto mbetje.

Nëse ky rast varroset në harresë, atëherë Shqipëria do të jetë jo vetëm një vend që importon plehra, por një shtet që gropos edhe të vërtetën bashkë me drejtësinë.

 

Publikuar nga Publik Media