Denoncime

Skandali/ Ish-drejtori i arrestuar fiton tenderin në Portit e Durrësit

Si u  ringjall   kompania e ish-zyrtarëve të arrestuar

Redaksia Investigative | Publik.al

Në Shqipëri, çudia nuk zgjat vetëm tre ditë. Ajo kthehet, përsëritet dhe  në rastin e Portit të Durrësit  shndërrohet në një cikël të frikshëm abuzimi dhe pandëshkueshmërie. Një dekadë pas një prej skandaleve më të mëdha në portin më të madh të vendit, emrat e njohur të aferës së 2015-s janë rikthyer fuqishëm. Jo në ndonjë seancë gjyqësore për drejtësi të vonuar, por si fitues tenderash milionësh nga po i njëjti institucion ku dikur abuzuan.

Në vitin 2015, drejtuesit më të lartë të Autoritetit Portual Durrës (APD), përfshirë Administratorin Eduart Ndreu dhe vartësin e tij Agron Çopja, u arrestuan me bujë për një skemë korruptive që përfshinte favorizimin e kompanisë private “EMC Engineering Maintenance Center” në tendera publikë. Një kompani që, sipas prokurorisë, ishte krijuar nga vetë zyrtarët gjatë kohës që ushtronin funksionet publike dhe që përthithte fondet e APD-së përmes procedurave të manipuluara.

 

Prokuroria e Durrësit në atë kohë evidentoi se shuma e përvetësuar nga kjo skemë kapte mbi 230 milionë lekë. EMC ishte themeluar në prill 2012, në kohën kur Ndreu dhe Çopja ishin në majat e hierarkisë së portit. Përplasja me ligjin i dërgoi pas hekurave, por si shumë dosje të bujshme në Shqipëri, edhe kjo u shfry në gjykata, u mbulua nga harresa institucionale dhe më pas – u ringjall me ndihmën e një sistemi që nuk harron të shpërblejë besnikët.

2015-2025: Nga të pandehur në përfitues

Sot, 10 vite më vonë, po të njëjtët individë, përmes po të njëjtës kompani, vijojnë të përfitojnë nga fondet publike të Autoritetit Portual të Durrësit. Një dokument i siguruar nga redaksia e Publik.al provon se EMC është shpallur fituese e tenderit për blerje lefterakë elektrik për Terminalin e Autove, me një afat lëvrimi prej 9 muajsh dhe me një vlerë 17.305.712 lekë pa TVSH, duke konkurruar një ofertë tjetër vetëm pak më të shtrenjtë.

Të dy ish-drejtorët e Portit të Durrësit, të arrestuar 10 vite më parë, vijojnë të fitojnë tendera  në Autoritetin Portual të Durrësit. Një çudi e madhe, si me zyrat e shtetit apo edhe me organet ligjzbatuese, pasi ende nuk është këputur ky zinxhir.

 Autoriteti Portual i Durrësit ka nxjerrë fitues kompaninë “EMC Engineering Maitenance Center”, me adresë në komunën Rrashbull. Bëhet fjalë për tenderin me objekt “Blerje lefterakë elektrik për Terminalin e Autove”, me afat lëvrimi 9 muaj nga data e nënshkrimit të kontratës.

Kriter i përzgjedhjes ishte oferta ekonomikisht më e favorshme bazuar në çmim, teksa ofertë pati kompania “AON” në vlerën 17.400.000 lekë, pa TVSH. Ofertë kishte edhe kompania “EMC Engineering Maitenance Center”, me vlerë 174.400 EURO ose në lekë, 17.305.712 lekë, pa TVSH.

Ironikisht, “fituesit” e këtij tenderi janë sërish Eduart Ndreu dhe Agron Çopja, që sipas të dhënave nga QKB zotërojnë nga 50% të aksioneve të EMC-së. Kompania ka adresë në fshatin Vrin të Rrashbullit dhe është aktive në fushat e tregtimit, mirëmbajtjes teknike, logjistikës dhe shërbimeve portuale – të njëjtat fusha për të cilat Ndreu dhe Çopja u hetuan dhe u dënuan.

A janë institucionet bashkëpunëtore në rikthimin e tyre?

Ky nuk është vetëm një rast banal i një kontrate publike që u fitua nga persona me precedent penal. Është pasqyrë e një zinxhiri klientelist që nuk është këputur asnjëherë, as nga drejtësia, as nga politika, as nga burokracia shtetërore. Më shumë se një problem etik, kemi përballë një sfidë për besueshmërinë e shtetit.

Përse një institucion publik si APD vijon të lidhë kontrata me individë që kanë abuzuar me të në të kaluarën? Ku janë filtrat e pastërtisë së figurës, ku është kontrolli i brendshëm, ku është ndëshkimi? Apo është më e thjeshtë të fshihen aferat nën petkun e “ofertës më të favorshme ekonomikisht”?

Një precedent i rrezikshëm

Ndreu

Rasti i EMC-së dhe dy ish-drejtuesve të Portit të Durrësit është një sinjal i fortë për atë që nuk po ndryshon në Shqipëri: sistemi jo vetëm që nuk përjashton abuzuesit, por shpeshherë i rikthen si bashkëpunëtorë. Për aq kohë sa nuk ka reforma reale në mënyrën si zhvillohen tenderat publikë dhe si përzgjidhen ofertuesit, skandale si ky do të mbeten kronikë e zakonshme e pandëshkueshmërisë.

Eduart Ndreu dhe Agron Çopja nuk janë më vetëm simbol i një skandali të së kaluarës – ata janë prova e gjallë se në Shqipëri, krimi ekonomik shpërblehet me kontrata publike, dhe drejtësia është thjesht një stacion tranzitor në rrugën e kthimit te pushteti dhe paratë.

Recent Posts

  • Statusi Publik

Sadushi plan për eliminimin antikushtetues të gjyqtares Bejtja

Nga Landi Çela Skema për kapjen e Gjykatës Kushtetuese  Publik.al | veting | 5 Qershor…

6 hours ago
  • Sport

Si po grabiten tifozët me biletat e “Tregut të Zi”

Fillojnë arrestimet e para  Një ndeshje, një kaos: Shqipëri–Serbi më 7 qershor 2025 në Tiranë…

8 hours ago
  • Denoncime

Rama qeras Pacollin dhe Agron Çelën me dy dhurata rezidenciale

Velipoja për Çelën, Vlora  Pacolli Në një ceremoni që kishte trajtën e një konkursi ndërkombëtar,…

9 hours ago
  • Publik News Albania

ISHP i vendos shiritin e bllokimit kompanisë “AlbChrome”

Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore ka vendosur sot shiritin e pezullimit të punës…

9 hours ago
  • Flash News

Do ti merrte 260 mijë euro policën e sigurimit të jetës

Vrasja e Liridona Ademajt, akuza: Naim Murseli urdhëroi vrasjen! Prokurorja Javorka Perlinçeviç deklaroi se “Naim…

11 hours ago
  • Flash News

Meta po gjurmon përdoruesit e Android përmes Insta dhe FB

Ekspertët mendojnë se Meta dhe kompania e motorëve të kërkimit Yandex kanë qenë duke gjurmuar…

12 hours ago