Lajme

Skandali me mbetjet spitalore prokuroria çon për gjykim 13 persona

Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet paraprake për një aferë të dyshuar me përmasa të rënda korrupsioni dhe shkeljesh mjedisore, duke çuar për gjykim 13 persona të akuzuar për falsifikim dokumentesh, shpërdorim detyre dhe shkelje të rënda të ligjit mbi mbetjet e rrezikshme.

Në qendër të dosjes që trondit institucionet shtetërore dhe kompanitë private që operojnë në sektorin e menaxhimit të mbetjeve, janë tre administratorë biznesesh: Elvis Miri i kompanisë “Vale Recycling” shpk, Elidiana Shehu e “EMC” shpk dhe Laert Shehu i “Swot” shpk.

Elvis Miri dhe skema e mashtrimit me tenderat spitalorë

Emri më i rëndë në këtë dosje është ai i Elvis Mirit, i arrestuar në qershor të vitit të kaluar. Sipas prokurorisë, ai ka përfituar mbi 65 milionë lekë nga tendera publikë, kryesisht në spitale shtetërore, për riciklimin e mbetjeve spitalore, duke përdorur dokumente të falsifikuara, pa pasur në realitet pajisjet që pretendonte.

Hetimi ka provuar se kompania “Vale Recycling” ka marrë pjesë në mbi 200 procedura tenderimi që nga viti 2016, ku ka deklaruar në mënyrë të rreme se kishte në dispozicion një pajisje të avancuar për trajtimin e mbetjeve të rrezikshme spitalore – një sistem të quajtur “Econos TC 150” – por që realisht e ka blerë vetëm në fillim të vitit 2024.

Ekspertët mjedisorë që mbuluan mungesat teknike

Në skemën mashtruese janë përfshirë edhe Elidiana Shehu dhe Laert Shehu, administratorët e dy kompanive të ekspertizës mjedisore, të cilët, sipas akuzës, ndihmuan Elvis Mirin të falsifikonte raportet e vetëmonitorimit, duke mbuluar mungesat teknologjike dhe duke lehtësuar dhënien e lejeve mjedisore të tipit A dhe B, pa përmbushur kushtet ligjore.

10 zyrtarë të institucioneve shtetërore të pandehur për shpërdorim detyre

Përveç përfaqësuesve të kompanive private, prokuroria ka marrë të pandehur edhe 10 zyrtarë dhe inspektorë të institucioneve mjedisore, me inicialet: J.Sh., E.P., A.M., N.D., T.P., B.S., A.K., B.L., I.B., dhe K.A. Ata akuzohen për shpërdorim detyre, pasi kanë kryer inspektime fiktive, kanë pranuar dokumentacion të manipuluar dhe nuk kanë verifikuar kushtet reale në terren.

Sipas prokurorisë, gjatë periudhës 2017–2022, “Vale Recycling” ka fituar mbi 30 tendera, pavarësisht mungesës së pajisjeve të kërkuara ligjërisht dhe në shkelje të kritereve të rrepta për menaxhimin e mbetjeve të rrezikshme.

Prokuroria: Skemë bashkëpunimi mes privatëve dhe zyrtarëve shtetërorë

“Nga analiza e të dhënave rezultoi një skemë e gjerë bashkëpunimi ndërmjet subjekteve private dhe funksionarëve publikë, e cila shfrytëzonte falsifikimin e dokumenteve dhe inspektimet fiktive për të përfituar kontrata publike dhe leje mjedisore”, – thuhet në deklaratën e Prokurorisë së Tiranës.

Në total, të akuzuarit përballen me akuza për:

  • Falsifikim të dokumenteve, në bashkëpunim (neni 186/3 i Kodit Penal)
  • Shpërdorim detyre
  • Keqmenaxhim të mbetjeve
  • Aktivitete të rrezikshme për mjedisin

Rasti nisi nga një denoncim televiziv

Hetimi u nxit fillimisht nga një denoncim i emisionit “Stop”, që solli në vëmendjen publike dyshimet për abuzim me trajtimin e mbetjeve spitalore. Më pas, organi i akuzës ndërmori një hetim të thelluar që ekspozoi mangësitë e sistemit të kontrollit mjedisor në Shqipëri dhe bashkëpunimin e dyshimtë mes interesave klienteliste dhe institucioneve publike.

Të gjithë të pandehurit gëzojnë prezumimin e pafajësisë, deri në një vendim përfundimtar nga gjykata kompetente.

Ky është një ndër rastet më domethënëse që nxjerr në pah dobësitë e sistemit të kontrollit mjedisor dhe korrupsionin që gërryen proceset publike në sektorë jetikë si shëndetësia dhe mbrojtja e mjedisit. Publik.al do të vijojë ndjekjen e këtij procesi gjyqësor dhe do të informojë për zhvillimet më të fundit.

Recent Posts

  • Denoncime

RTSH në krizë: Gazetarë dhe staf teknik pa paga prej tre muajsh

Radio Televizioni Shqiptar (RTSH), institucioni publik që financohet nga taksapaguesit dhe menaxhon tenderë me miliona…

32 minutes ago
  • Our Story

Roela dhe Vedati në pritje të një fëmije

Roela dhe Vedati, çifti që u njoh dhe dashurua në “Përputhen” kanë zbuluar se së…

51 minutes ago
  • Publik News Albania

Kush janë dy të rinjtë që vd*qën nga aksidenti me motor në Vlorë

Në foton që shihni janë dy të rinjtë që humbën jetën tragjikisht të dielën, më…

1 hour ago
  • Denoncime

Gerond Meçe luftë me rivalin Beqiri për 5 MLN euro të AKSH-it

Që prej fillimit të vitit duket se ka një rivalitet të fortë (!) në lidhje…

2 hours ago
  • Lajme

Shorti, gjyqtarja Elsa Ulliri do të gjykojë Sali Berishën me dhëndrin

Gjyqtarja e Posaçme Elsa Ulliri do të jetë kryesuese e trupës gjykuese që do të…

2 hours ago
  • Bota

Trump nuk dinte gjë për sulmin ukrainas ndaj Rusisë

Presidenti Trump nuk u informua për sulmin e fundit të Ukrainës ndaj Rusisë, konfirmoi të…

3 hours ago