Skema e pastrimit të parave të Vis Pojës

Firma e Ramës për hotelin 10-katësh në bregdet dhe heshtja e SPAK

Elvis Doçi, i njohur ndryshe si Visi i Pojës, është tashmë një emër i lakuar jo vetëm në hetimet italiane për trafik ndërkombëtar të kokainës dhe pastrim parash, por edhe në skemat e dyshimta të ndërtimit në Shqipëri, ku përfshirja direkte e kryeministrit Edi Rama me firmë për leje ndërtimi hedh dritë mbi një aferë të thellë që Prokuroria e Posaçme, SPAK, duket se e ka injoruar.

Operacioni Antimafia dhe lidhjet me Shqipërinë

Hetimi i nisur nga Antimafia italiane ka zbuluar një organizatë kriminale shqiptare që trafikonte kokainë nga Amerika Latine drejt Europës. Sipas dosjes italiane, paratë e këtij aktiviteti vinin në Shqipëri përmes dhjetëra udhëtimeve me autobus dhe pastroheshin në kompani të regjistruara në emrin e Elvis Doçit.

Nga informacionet e referuara edhe tek SPAK, një nga kompanitë e përfshira ishte Eldemar Construction, në pronësi të Doçit. Kjo kompani zotëronte një makinë luksoze Audi A8 të blinduar, që u sekuestrua në kuadër të hetimeve të mëparshme për pasuritë e familjes Troplini. Por çuditërisht, kompania vetë nuk është sekuestruar nga SPAK.

Kompania “e amnistuar” që përfitoi nga rindërtimi dhe ndërtimet luksoze

E themeluar në vitin 2010, Eldemar Construction ka përfituar fonde publike nga programet e Rindërtimit, si dhe leje ndërtimi të dhëna me firmë personale të Edi Ramës, për një hotel 10-katësh pranë Shkëmbit të Kavajës në shkurt 2024. Kjo kompani, edhe pse e lidhur me trafik ndërkombëtar droge dhe e përdorur për pastrim parash, nuk është prekur nga veprimet e SPAK.

Kompania “Rock of Kavaja” dhe loja me aksionet

Në korrik 2024, Visi i Pojës themeloi kompaninë Rock of Kavaja, me objekt aktiviteti në fushën e turizmit. Vetëm pak muaj më pas, në nëntor 2024, ai shiti 60% të aksioneve te kompania CFO PHARMA, një emër i panjohur më parë në sektorin e ndërtimit.

Tre ditë pas shitjes, kapitali i shoqërisë u rrit në mënyrë të dyshimtë nga 100 mijë lekë në 225 milionë lekë (rreth 2.3 milionë euro), përmes një “kontrate me rezervë” mbi tokën e ndërtimit — një formulë që lë të hapur dyshimet se pagesa për tokën nuk është kryer realisht, duke lejuar pastrimin e parave përmes rritjes artificiale të kapitalit.

Brand ndërkombëtar për fasadë , Pullman për hotelin e Vis Pojës

Më tej, kompania lidhi marrëveshje me brandin ndërkombëtar AÇOR (Pullman) për operimin e hotelit. Kjo marrëveshje përdoret si mbulesë për legjitimimin e projektit dhe të ardhurave, ndërkohë që struktura financiare e ndërtimit është e mbështetur nga CFO PHARMA, e cila mbulon 100% të investimit, ndërsa Doçi përfiton 40% të aksioneve vetëm përmes kontributit të tokës – që sipas dokumentacionit, mund të mos jetë paguar fare.

Kush janë kompanitë e tjera të sekuestruara dhe përse mungon Eldemar?

SPAK ka sekuestruar disa kompani të lidhura me këtë rrjet kriminal, si:

  • Marquez (Ervin Zeqiri)
  • Felix Vinum (Adi Çoba)
  • Majestic Konstruksion (Juxhin Drazhi)
  • Portside (Elvis Doçi)
  • Dubai Inn & Vlora Cable (Nexhmedin Danaj)
  • Kompania tregtare e makinave (Olgert Shqeviti)

Por Eldemar Construction, që mban emrin e Doçit dhe është qendra e shumë prej transaksioneve, nuk është përfshirë në këtë listë.

Një aferë e mbrojtur nga maja e pushtetit

Ky është një skenar klasik i pastrimit të parave përmes ndërtimit, ku:

  • Visi i Pojës siguron tokën (me marrëveshje të dyshimta),
  • Edi Rama firmos lejen,
  • Hyn në lojë një kompani farmaceutike që fut paratë,
  • Mbyllet skema me një brand ndërkombëtar që i jep reputacion projektit.

Ndërkohë që hetimet italiane janë të plota dhe transparente, SPAK hesht, nuk përmend as emrat e të arrestuarve, as të kompanive të përfshira  një amnisti e heshtur për një nga projektet më të dyshimta të ndërtimit në vijën bregdetare shqiptare.

 

Publikuar nga Publik Media