Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike u bën thirrje qytetarëve të mos japin kodet bankare
Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike ka zbuluar një skemë mashtruese që synonte vjedhjen e të dhënave bankare të qytetarëve shqiptare.
Kjo skemë kryhej përmes mesazheve telefonike drejtuar qytetarëve, duke përdorur në mënyrë të rreme emrin e Postë Shqiptare.
Skema synonte përmes klikimit në linqet e paraqitura në mesazh, vjedhjen e të dhënave të kartës së kreditit.
Mesazhi iu dërgohej klientëve sikur atyre iu kishte ardhur një dërgesë, e cila nuk mund të dorëzohej në postë pa dhënë të dhënat në telefon përmes linkut që ofronte mesazhi.
Mesazhi i AKSK:
KUJDES: Mos bini pre e mashtrimeve online!
Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike ka ndërmarrë menjëherë të gjitha masat për të bllokuar një skemë mashtruese që synonte vjedhjen e të dhënave bankare përmes mesazheve të rreme në emër të Postës Shqiptare.
Domaini i rrezikshëm është raportuar dhe dërguar për bllokim te AKEP.
Kjo fushatë nuk ka lidhje me një aktor të sponsorizuar specifik, por është një tjetër përpjekje për të vjedhur të dhënat e kartave të kreditit, njësoj si rastet e mëparshme që janë hasur nga imitues të Postës Shqiptare.
Kujdes! Mos jepni në asnjë rast të dhënat tuaja bankare apo të kartës përmes formave të dyshimta!
AKSK vijon monitorimin dhe bashkëpunimin e ngushtë me institucionet përgjegjëse për të parandaluar çdo përpjekje për mashtrim digjital.