Sot provimi i Maturës Shtetërore në Gjuhë Shqipe dhe Letërsi

Rreth 27 mijë maturantë do t’i nënshtrohen këtë të martë provimit të dytë të maturës shtetërore atij të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë.

Nxënësit duhet të paraqiten në ambientet e shkollës në orën 08:30 ndërsa provimi nis në 10:00 dhe përfundon në 12:30.

Provimi do të zhvillohet në ambientet e shkollave të mesme që plotësojnë kushtet e përcaktuara në Rregulloren e Maturës Shtetërore.

Ministria e Arsimit ka përcaktuar një sërë rregullash për zhvillimin e provimit. Të gjithë maturantët duhet të kenë me vete mjet identifikimi dhe të jenë të veshur në mënyrë të rregullt, preferohet me uniformën e shkollës.

Gjatë provimit ndalohet përdorimi i telefonave celularë, orëve inteligjente dhe çdo pajisjeje tjetër teknologjike. Testi duhet plotësuar me stilolaps me një ngjyrë të vetme dhe maturantët janë të detyruar të firmosin në momentin e marrjes dhe dorëzimit të testit.

Rregulla gjatë provimit:

Nxënësit duhet të kenë me vete mjet identifikimi (kartë ID ose pasaportë);

Gjatë provimit nxënësit duhet të kenë veshje të rregullt, uniforma e shkollës;

Gjatë kohës që zhvillohet provimi ndalohen rreptësisht: telefonat dhe ora smart;

Nxënësit duhet të përdorin stilolaps me një ngjyrë dhe kurrë më shumë se një ngjyrë në plotësimin e testit;

Firmosni kur merrni dhe dorëzoni testin;

Kontrolloni testin për pasaktësi ose paqartësi në lexim;

Nuk lejohet largimi para 12:30;

Sjellje korrekte dhe vëmendje gjatë testit.

Provimet do të zhvillohen në shkolla që plotësojnë kushtet infrastrukturore të përcaktuara në Rregulloren e Maturës Shtetërore.

Pas këtij provimi maturantët do të zhvillojnë atë të matematikës më 17 qershor, ndërsa Provimin me Zgjedhje më 24 qershor.

Provimi me zgjedhje ofron një gamë të gjerë lëndësh, përfshirë: Shkencat e Natyrës: Kimi, Fizikë, Biologji, Shkencat Shoqërore: Histori, Gjeografi, Qytetari dhe Psikologji, Filozofi dhe Sociologji dhe Ekonomia dhe Artet: Ekonomi, Histori Arti, Histori Muzike, Histori Baleti.

Për orientimin dhe përgatitjen e maturantëve, testet model për provimet e ardhshme janë shpërndarë shumë më herët në të gjitha shkollat, duke i orientuar nxënësit për formatin e provimeve në mënyrë që ata të jenë sa më të përgatitur.

Publikuar nga Publik Media