Kontrolle në Bashkinë Tepelenë. SPAK sekuestron dokumente pas denoncimeve për korrupsion
Një hetim i nisur nga SPAK, pas denoncimeve mediatike dhe regjistrimit kryesisht, ka çuar këtë të martë në kontrolle të zgjeruara në Bashkinë e Tepelenës. Sipas burimeve të WebLajm.com, hetimet po ndiqen nga prokurori Beldar Maksuti, ndërsa me miratim të gjykatës, oficerë të BKH-së kanë ushtruar kontrolle në disa zyra kyçe të bashkisë.
Në fokus të kontrollit ishin zyra e Kryebashkiakut, ajo e Financës dhe sektori juridik, ku janë sekuestruar dokumente të konsideruara të vlefshme për hetimin.
Hetimi lidhet me dyshime për shpërdorim detyre, korrupsion dhe abuzim me fondet publike. Në qendër të skandalit është përmendur edhe ish-kryebashkiaku dhe aktualisht deputeti Tërmet Peçi, i denoncuar më herët nga emisioni investigativ “Plug” për ngritjen e një skeme për përfitimin e fondeve të BE-së nëpërmjet ish-vartësve të tij./weblajm