SPAK godet kontrabandën, zyrtarë dhe biznesmenë ikin

SPAK është në prag të finalizimit të një prej operacioneve më të mëdha kundër kontrabandës së naftës në Shqipëri. Hetimi i gjatë dhe kompleks, i nisur në bashkëpunim me agjencitë partnere ndërkombëtare të zbatimit të ligjit, ka zbërthyer një skemë të sofistikuar kriminale që përfshin biznesmenë të mëdhenj, zyrtarë të doganave, tatimeve, policisë dhe portit.

Sipas burimeve për publik.al, kjo skemë e kontrabandës disavjeçare i ka shkaktuar shtetit shqiptar dhjetëra milionë euro dëm ekonomik. Informacionet e para kanë ardhur nga partnerët e huaj, të cilët ndihmuan në ruajtjen e integritetit të hetimit nga ndërhyrjet korruptive të “kokave të naftës”.

Në dijeni të veprimeve të fundit të BKH-së dhe pyetjeve të SPAK, disa zyrtarë të rëndësishëm të portit, doganave dhe tatimeve kanë braktisur Shqipërinë, duke u arratisur në drejtim të paditur. Të tjerë qëndrojnë në gjendje alarmi, gati për t’u fshehur në momentin që GJKKO të firmosë urdhrat e ndalimit.

Burime nga hetimi zbulojnë se në listën e të implikuarve janë edhe deputetë e ish-deputetë, drejtorë të rëndësishëm dhe biznesmenë, të cilët dyshohet se kanë investuar fitimet e paligjshme në pasuri të paluajtshme në Shqipëri dhe jashtë saj.

Ndër vite, prokuroritë e Tiranës dhe Durrësit kanë tentuar të godasin këtë rrjet, por drejtësia ka dështuar: dosjet janë sabotuar, hetimet devijuar dhe fajtorët e vërtetë kanë dalë të pafajshëm, ndërsa janë sakrifikuar vetëm “peshqit e vegjël”.

Publikuar nga Publik Media