SPAK ia ka hequr maskën Edi Ramës, e nxori lakuriq para votuesve

Albert Mero

Arrestimi i Erion Veliajt nuk është thjesht një zhvillim i bujshëm, por një moment kyç që ka shkundur themelet e një sistemi të kalbur. Për vite me radhë, propaganda e ndërtuar me kujdes e paraqiste Edi Ramën si një lider të pathyeshëm, si një strateg të pagabueshëm, por tani SPAK-u ia ka grisur kostumin e propagandës dhe e ka lënë zbuluar para shqiptarëve.

Në një shoqëri si kjo e jona, ku media më shumë shërben si vegël e pushtetit, Veliajt iu deshën vetëm disa orë pas prangave për të ekspozuar hipokrizinë e të ashtuquajturve “analistë” e “intelektualë”. Ata që dje e mbronin me zjarr, sot përpiqen të shpëtojnë veten duke e mohuar si Pjetri Krishtin. E njëjta maskaradë ndodh edhe në politikë – rivalë të dikurshëm, që shanin Ramën pas kuintave, sot e solidarizojnë veten duke mbrojtur një sistem të korruptuar, nga frika e një ndëshkimi të pashmangshëm.

Por nëse Veliaj dhe të tjerët u nxorën zbuluar, Edi Rama është ai që ka mbetur më i pambrojtur. Si në përrallën e “mbretit lakuriq”, ai ka ecur për vite me radhë me arrogancën e dikujt që beson se askush nuk do ta guxojë t’i thotë të vërtetën. Tani, e vërteta është e qartë: ai nuk është as reformator, as vizionar, por një lider ”global” që po shembet nga brenda, i kapur peng nga krizat dhe aleancat e shkatërruara.

Reagimi i tij ndaj arrestimeve e konfirmon më së miri këtë. Nga një anë, ai përpiqet të relativizojë gjithçka duke hedhur dyshime mbi SPAK-un, nga ana tjetër, vijon përpjekjet për të penguar drejtësinë. Por sa më shumë të përpiqet ta frenojë këtë valë, aq më e pashmangshme bëhet përplasja. SPAK nuk është më një institucion që mund të manipulohet nga presioni politik, dhe tashmë ka treguar se nuk frikësohet nga kërcënimet, qoftë edhe ato që vijnë nga një kryeministër në panik.

E vërteta është kjo: sistemi që Rama ka ndërtuar po shkërmoqet , hallkë pas hallke. Ish -Sekretar i Përgjithshëm në arrati, ministra dhe kryetarë bashkie në qeli, një parti që më shumë ngjan me një anije të mbytur se sa me një forcë politike të gatshme për sfida të reja. Në këtë betejë të fundit, nuk janë më vetëm rivalët e tij politikë ata që e sfidojnë – tani është vetë drejtësia.

Shqiptarët duhet të kuptojnë një gjë: halli i Edi Ramës nuk është halli i tyre. Ai po lufton për mbijetesë politike dhe personale, jo për interesat e qytetarëve. Më 11 maj, ata që e kanë kuptuar këtë të vërtetë duhet t’i japin përgjigjen që ai ka frikë ta dëgjojë.

 

Publikuar nga Publik Media