SPAK pritet të çelë garën për drejtuesin e ri të BKH, Aida Hajnaj nuk dorëzoi në kohë kërkesën zyrtare për kandidim

Afati i fundit për Aida Hajnajn për të dorëzuar dokumentacionin, pas shprehjes së interesit për një mandat të dytë në krye të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), përfundoi të mërkurën, më 7 maj. Edhe pse znj. Hajnaj, e cila ka drejtuar BKH-në për pesë vite, kishte shprehur interes që në muajin mars, ajo nuk dorëzoi dokumentacionin e kërkuar brenda afatit të përcaktuar. Ky hap është i domosdoshëm për të vijuar me fazat e testimit të parashikuara nga ligji nr. 95/2016 për SPAK-un.

Burime pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) sqaruan se procesi i riemërimit nuk mund të vijojë për shkak të mosplotësimit të kërkesës ligjore për paraqitjen e dokumentacionit përkatës nga znj. Hajnaj. Mungesa e tij brenda afatit ligjor e përjashton automatikisht nga fazat e mëtejshme të përzgjedhjes dhe mbyll procesin e “riemerimit”.

Në këto kushte, Komisioni i Përzgjedhjes, i përbërë nga drejtuesi i SPAK Altin Dumani dhe prokurorët e posaçëm Arben Kraja dhe Behar Dibra, pritet të shpallë zyrtarisht garën e hapur për drejtimin e ri të BKH-së. Sipas ligjit, çdo kandidat që dorëzon dokumentacionin përkatës do t’i nënshtrohet një procesi rigoroz, transparent dhe konkurrues, i strukturuar në shtatë faza vlerësimi.

Kujtojmë se BKH është një strukturë hetimore në varësi të Prokurorisë së Posaçme, e ngritur për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar në nivelet më të larta. Roli i drejtuesit të saj është kyç për garantimin e pavarësisë, profesionalizmit dhe efikasitetit të hetimeve që prekin interesa madhore publike dhe integritetin e shtetit ligjor.

Publikuar nga Publik Media