Naim Noka
Viti 2024 ka shënuar një kthesë të paprecedentë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri, me arrestime dhe akuza ndaj disa prej figurave më të larta politike të vendit. Ish-presidenti Ilir Meta, bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi, dhe liderë të tjerë të opozitës dhe maxhorancës kanë qenë subjekt i veprimeve të guximshme të SPAK, duke vendosur institucionin në qendër të vëmendjes kombëtare. Duke arrestuar kryesisht drejtuesit e opozitës për vepra penale që supozohet t’i kenë konsumuar para më shmë se një dekade, SPAK me dashje ose jo ndryshoi peisazhin politik, edhe pse nga ana e pushtetit ka arrestuar disa ish-ministra apo drejtorë bashkish, megjithëse abuzimet dhe dëmet që kanë shkaktuar vendit dhe vijon sot e kësaj dite në milard euro mbeten me dosje fragmentare, duke vënë para akuzës disa fakirë të dorës së dytë pa patur këllqe dhe kurajo për të hetuar dhe arrestuar ministra në detyrë, apo dhe kryebashkiakun Erjon Veliaj.
Goditja ndaj Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit
Arrestimi i Ilir Metës për korrupsion dhe pastrim parash është padyshim një moment historik, duke qenë se përfshin një ish-president dhe ish-kryetar parlamenti. Akuzat ndaj tij dhe masat ligjore ndaj Kryemadhit, megjithëse më të buta, përbëjnë një goditje të dyfishtë për Partinë e Lirisë dhe për koalicionin opozitar. Këto zhvillime vijnë pas një fushate agresive të Metës kundër SPAK dhe kreut të tij Altin Dumani, duke treguar se presioni politik dhe mediatik nuk ka ndaluar institucionin.
Arrestimi i Metës është një pikë kthese, jo vetëm për faktin që pas dy dekadash dominimi politik ai përfundon pas hekurave, por edhe për simbolikën që mbart: rënia e një prej figurave më të fuqishme të tranzicionit. Për më tepër, divorci i tij me Kryemadhin, që përkoi me këtë periudhë të vështirë, thellon edhe më shumë krizën personale dhe politike të tyre.
Sali Berisha dhe Hija e Burgut
Sali Berisha, një tjetër figurë historike e politikës shqiptare, kaloi pothuajse gjithë vitin 2024 nën arrest, vetëm për t’u liruar në nëntor. Ai përballet me akuza për korrupsion në bashkëpunim, duke e bërë 2024-n një vit jashtëzakonisht të vështirë për të. Ndërsa Berisha përgatitet për zgjedhjet e 2025-s, beteja e tij ligjore duket se do të pengojë rëndë fushatën e tij dhe të PD-së së tij, duke dobësuar më tej kampin opozitar.
Maxhoranca në fokusin e SPAK
Nëse 2024 ishte një vit i errët për opozitën, maxhoranca socialiste nuk mbeti imun ndaj goditjeve të drejtësisë. Arrestimi i Ilir Beqajt, një mik i afërt i Edi Ramës, dhe akuzat ndaj tij për krijimin e një grupi kriminal gjatë qeverisë Rama 1 janë dëshmi se SPAK ka shtrirë hetimet edhe ndaj figurave të larta të qeverisë.
Erion Veliaj, i cili shihej si pasuesi potencial i Ramës, përballet me katër akuza, përfshirë korrupsionin dhe pastrimin e parave. Me celularët e sekuestruar dhe hetimet në vijim, e ardhmja politike e Veliajt është në rrezik të madh. Këto zhvillime, të cilat ndodhin në prag të zgjedhjeve të 2025-s, mund të destabilizojnë më tej maxhorancën socialiste.
A janë këto hapa për një drejtësi të vërtetë?
Megjithëse veprimet e SPAK kanë ngritur pritshmëri për forcimin e shtetit ligjor, shumë mbeten skeptikë. Ilir Meta dhe Sali Berisha i kanë etiketuar këto veprime si të motivuara politikisht dhe të orkestruara nga kryeministri Edi Rama. Një kritikë e tillë ka rezonuar te një pjesë e opozitës dhe shoqërisë civile, duke ngritur shumë pikëpyetje mbi pavarësinë e sistemit të drejtësisë.
2025 një vit vendimtar
Në vigjilje të zgjedhjeve parlamentare të 2025-s, peizazhi politik është më i trazuar se kurrë. Me Metën dhe Berishën në përballje ligjore, me Veliajn nën presionin e SPAK, dhe me socialistët që përballen me akuza të rënda korrupsioni, votuesit shqiptarë do të hyjnë në një proces zgjedhor të pazakontë. A do ta votojnë shqiptarët masivisht kundra Ramën? A do të mund ta thyejnë makinerinë që furnizohet me një mal me para te pisët dhe grupeve kriminale dhe betonit?! A do votojë kundra një pjesë e administratës dhe pensionistëve?! Sa vota do të blihen?! Po diaspora do të mbështesë opozitën? Po SPAK do të mundet të mbrojë zgjedhjet nga krimi elektoral dhe shitblerjen e votës?!
Nëse SPAK arrin të përmbyllë hetimet dhe të sigurojë vendime gjyqësore të qarta, 2025 mund të shënojë fillimin e një epoke të re për Shqipërinë. Në të kundërt, çdo dështim i drejtësisë do të përforcojë perceptimin e qytetarëve se edhe institucionet më të reja janë të kapura.
Në këtë kontekst, viti që vjen nuk do të jetë thjesht një betejë për pushtet, por një moment i së vërtetës për të ardhmen demokratike dhe ligjore të vendit.