Prokuroria e Posaçme ka shpallur pretencën për të pandehurit e fraksionit të dytë të dosjes së njohur si “5D”.
Për Deborah Keçin, ish-drejtore e klubit sportiv “Tirana”, është kërkuar një vit burg për akuzën e shkeljes së barazisë në tendera.
Megjithatë, edhe nëse shpallet fajtore, ajo nuk do të shkojë në burg, pasi SPAK ka kërkuar pezullimin e ekzekutimit të dënimit dhe vendosjen në provë për një periudhë 2-vjeçare. Si dënim plotësues, ajo humb të drejtën për të ushtruar funksione publike.
Për të pandehurit e tjerë – Teuta Guri, Reinaldo Gjerazi dhe Jetjon Meraj – është kërkuar nga 9 muaj burg secilit, por edhe në këto raste u kërkua pezullimi i dënimit dhe vendosja në provë për 2 vite. Ata gjithashtu humbasin të drejtën për të ushtruar funksione publike për 5 vite.
Të pandehurit akuzohen për favorizimin e kompanisë “5D Konstruksion” në tendera, duke e shpallur fituese në mënyrë të paracaktuar.
Sipas SPAK, kompania “5D” zotërohet në mënyrë të tërthortë nga ish-zyrtarët e lartë të Bashkisë Tiranë, Redi Molla dhe Mariglen Qato, të cilët po gjykohen për korrupsion dhe pastrim parash. Në të njëjtën dosje janë të përfshirë edhe ish-vartës të tjerë të kryetarit të bashkisë, Erion Veliaj.
Aktakuza e SPAK për Deborah Keçin
Nga hetimet rezulton se shoqëria tregtare “5D Konstruksion” sh.p.k., e zotëruar në mënyrë indirekte nga Redi Molla dhe Mariglen Qato – ish-drejtues në institucionet në varësi të Bashkisë Tiranë – ka përfituar kontrata publike në kundërshtim me rregullat e prokurimit, nga autoritetet “Tirana Parking” dhe “Klubi Sportiv Tirana”.
Në mënyrë specifike, është provuar se e pandehura Deborah Keçi, në cilësinë e titullares së “Klubit Sportiv Tirana”, në bashkëpunim me anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave – Teuta Guri, Jetjon Meraj dhe Reinaldo Gjerazi – i ka krijuar kompanisë “5D Konstruksion” avantazhe dhe privilegje të padrejta në tenderin për rikonstruksionin e palestrës së mundjes, zhvilluar më 9 dhjetor 2020.
Gjithashtu, është dokumentuar se Keçi është dakordësuar paraprakisht me përfaqësues të operatorit “V.A.S Konstruksion” për ta shpallur fitues të tenderit që në fazën e përgatitjes së dokumenteve, përpara se procedura të shpallej zyrtarisht.
Anëtarët e komisionit nuk kanë përmbushur detyrën e tyre ligjore për vlerësimin e ofertave, duke shpallur fitues në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik operatorin “5D Konstruksion”, që ishte i paracaktuar për fitore nga Keçi.