Një vegël qesharake e pushtetit që do të ndikojë në zgjedhjet e 11 majit
Landi Çela
Edi Rama ka kohë që nuk e fsheh më faktin se SPAK është krijesa e tij. Ai e thotë hapur dhe me arrogancë, sikur të ishte një pronë private, një instrument i formuar për t’i shërbyer atij dhe vetëm atij. Dhe në fakt, asgjë nuk e përgënjeshtron këtë pohim. Sot, SPAK është kthyer në një letër higjienike politike, që Rama e përdor për të sulmuar opozitën dhe për të larë duart nga bashkëpunëtorët e tij të djegur.
Në një vend normal, drejtësia duhet të funksionojë mbi bazën e ligjit dhe jo të urdhrave të kryeministrit. Por Shqipëria e Ramës nuk është një vend normal. SPAK-u i drejtuar nga Altin Dumani nuk ka denoncime nga institucionet shtetërore për korrupsion apo shpërdorim detyre. Për të gjitha entet që administrojnë miliarda euro nga taksat e qytetarëve – nga tenderat e shfrenuar e deri te koncesionet kriminale – nuk ekziston asnjë rast korrupsioni! Po si është e mundur kjo? Mos vallë Shqipëria është bërë befas një vend ku qeverisja është e ndershme dhe e pastër? Apo mos ndoshta të gjithë hajdutët janë në opozitë?
E vërteta është se SPAK-u vepron vetëm mbi bazën e interesave të Ramës. Rasti i Veliajt është fakti më domethënës për SPAK-un. Kur opozita bëhet e rrezikshme, dikush nga PD-ja apo lëvizjet opozitare arrestohet. Kur një ministër apo drejtor i Ramës është konsumuar, ai flijohet për t’i bërë vend një tjetri. Dhe kur ndonjë skandal bëhet i pamundur për t’u mbuluar, atëherë SPAK del me ndonjë dosje spektakolare, zakonisht të fokusuar te individë tashmë të rrëzuar politikisht.
SPAK-u që nuk sheh dhe nuk dëgjon
Të dhënat e siguruara nga BIRN e vërtetojnë më së miri këtë realitet absurd: nga të gjitha institucionet që kanë për detyrë të luftojnë korrupsionin, vetëm Policia e Shtetit ka dorëzuar kallëzime në SPAK. Shifra flet vetë:
• Policia e Shtetit: 293 kallëzime penale (2020-2024)
• Kontrolli i Lartë i Shtetit: 18 kallëzime penale
• Inspektori i Lartë i Drejtësisë: 1 kallëzim (2023)
• Administrata Doganore dhe ILDKPKI: 1 kallëzim secila (2024)
• Të gjitha institucionet e tjera: ZERO kallëzime!
Po institucionet që kanë në dorë miliarda euro? Po ministritë që japin koncesione dhe tendera? Po Agjencia e Inteligjencës Financiare? Po Tatimet, Doganat, Komisioni i Prokurimit Publik, Autoriteti Mbikëqyrjes Financiare? Asnjë denoncim. Asnjë rast korrupsioni. Asnjë vjedhje! Në Shqipërinë e Edi Ramës, vjedhjet thjesht nuk ndodhin – të paktën jo për SPAK.
Idajet Beqiri dhe “drejtësia” shqiptare
Më qesharakja në gjithë këtë histori është se SPAK vihet në lëvizje nga kallëzimet e njerëzve qesharakë si Idajet Beqiri, një avokat i përdorur si instrument nga pushteti për të inskenuar akuza ndaj opozitës. Nga ana tjetër, kur bëhet fjalë për denoncime të forta, me fakte konkrete dhe emra si Arben Ahmetaj, SPAK mbyll sytë dhe veshët. Ahmetaj, që ka qenë koka e shumë aferave qeveritare, është zhdukur, ndërsa drejtësia hesht.
SPAK-u i Altin Dumanit nuk është një organ i pavarur, por një instrument politik. Ai ndjek vetëm linjën e Ramës dhe sulmon vetëm kur i jepet urdhër. Ky është një realitet i hidhur, por i pamohueshëm: në Shqipëri nuk ka drejtësi, ka vetëm një regjim që përdor drejtësinë për të mbajtur pushtetin e tij absolut.
SPAK-u është dështimi më i madh i reformës në drejtësi
Kur reforma në drejtësi nisi, shqiptarët menduan se më në fund do të kishte ndëshkim për korrupsionin. Por ajo që kemi sot është një SPAK që shërben si një polici politike e Ramës. Një strukturë që godet vetëm opozitën dhe nuk guxon të prekë askënd nga ekzekutivi.
Në një vend normal, një drejtësi e tillë do të ishte një skandal kombëtar. Në Shqipërinë e sotme, është thjesht pjesë e sistemit. SPAK nuk është më institucioni i pritshëm i drejtësisë, por një komedi politike, një turp për vendin, dhe një provë se Edi Rama ka arritur të kapë gjithçka – madje edhe reformën që dikur premtonte drejtësi.