Justifikim për skandalin përdoret rikonstruksioni
Situata është rënduar prej dhjetorit të vitit 2025 kur në Spitalin e Traumës u mbyllën 10 salla operatore, duke lënë në shërbim vetëm 3 sallat e urgjencës.
Mbyllja është bërë për shkak të rikonstruksionit të godinës së korpusit qendror dhe ambienteve të jashtme. Tenderi me vlerë 655 milionë lekë është fituar nga kompania “Alba Konstruksion”.
Prokurimi është klasifikuar me flamur të kuq nga Open Data. Mbyllja e 70% të spitalit prej 4 muajsh, dhe pa një afat të caktuar se kur do të jenë funksionale sallat, ka sjellë një situatë të paprecedentë e cila çon në shkelje të drejtpërdrejtë të të drejtave të njeriut.
“Rikonstruksionet spitalore, rikonstruksionet e sallave patjetër janë të nevojshme për t’u bërë, kjo nuk mund të bëhet dot pa një plan kontigjence i cili garanton vazhdimin e shërbimit, qëndrueshmërinë e shërbimit dhe garanton cilësinë ndaj pacientëve se ky është një shërbim i vazhdueshëm, pra nuk është me sezonalitete”, u shpreh Ilir Alimehmeti, mjek.
“Ministria e Shëndetësisë, spitali, drejtuesit e spitalit duhet të kishin marrë masa që të kishin rrugë alternative. Cilat mund të ishin këto rrugë alternative, duke marrë salla me qira në biznese, duke hapur hapësira të reja ose duke marrë shërbime publike për t’i rikthyer në shërbim të pacientëve”, u shpreh Eglantina Bardhi, dr. Together for Life.
Ne kërkuam specifikisht nga spitali të dimë se sa është numri i sallave të mbyllura aktualisht, por në përgjigjen zyrtare referohet vetëm ndarja Blloku Operator pa specifikuar numrin.
Inside Story ka siguruar një email të brendshëm të ministrisë që në 12 maj 2025 njofton për nisjen e rikonstruksionit dhe orientimin e pacientëve drejt spitaleve rajonale. Përjashtim bëjnë interventet e rënda të specializuara. Por qytetarët nuk kanë asnjë informacion publik dhe koordinimi deri sot duket i munguar.
“Në çdo rast të menaxhohet me shërbimin universitar të ortopedi-traumatologjisë në SUT kryerja e ndërhyrjeve pranë spitaleve rajonale ku ka shërbim të ortopedi-traumatologjisë duke qarkulluar, nëse është e nevojshme, personel mjekësor dhe materiale mjekësore specifike”.
‘”Një element ku çedon është pacienti, pra pacienti e di që është Spitali i Traumës, nëse i ndodh një traumë, drejtohet atje. Ka shumë pacientë që drejtohen vetë te Spitali i Traumës; nga ta dinë ata që nuk është ky spital, por është një spital tjetër, pra njoftimi në shkallë publike”, u shpreh Ilir Alimehmeti, mjek.
Ekspertët e konsiderojnë këtë lloj organizimi të parealizueshëm, duke iu referuar edhe eksperiencave të mëhershme që kanë dështuar.
“Për shembull, nëse marrim një intervent që mund të zgjasë dy orë dhe e zëmë është në Korçë, po t’i shtojmë ne edhe kohën e lëvizjes së mjekut do të thotë që gjithë ditën ai bën vetëm një intervent, ndërkohë që po të kishte qenë në Tiranë do të kishte bërë 4, pra do të ishin trajtuar edhe 3 pacientë të tjerë që tashmë nuk trajtohen. Pra çedon në shumë pika“, u shpreh Ilir Alimehmeti, mjek.
Ne iu drejtuam me një kërkesë për informacion spitaleve rajonale për të kuptuar nëse janë marrë masa konkrete pas emailit të dërguar nga Ministria e Shëndetësisë lidhur me situatën te Trauma. Nga të gjitha spitalet, kërkesës sonë iu përgjigj vetëm Spitali i Elbasanit.
Elbasani: Spitali disponon 2 salla operatore dhe kapacitete bazë për trajtimin e traumave, përfshirë ndërhyrje kirurgjikale ortopedike dhe të urgjencës, në përputhje me pajisjet dhe infrastrukturën ekzistuese. Ndërhyrjet realizohen në varësi të kompleksitetit të rastit dhe mundësive teknike në dispozicion. Shërbimi mbulohet nga mjekë specialistë të fushave përkatëse.
Spitali tha se ka marrë masa dhe ka dërguar në Tiranë vetëm rastet që ishte e pamundur të trajtohen në Elbasan, por sqaron se raste të tilla kanë qenë të pakta.
Bëhet fjalë për ato raste kur kërkohej ekspertizë më e lartë, si dhe mjete që disponohen vetëm nga Spitali i Traumës. Nga ana tjetër, ekipi i një ndërhyrjeje specifike nuk është vetëm mjeku, por një grup me detyra dhe funksione të mirëpërcaktuara.
“Urgjenca dhe operacionet e planifikuara kanë shkallë të ndryshme përgatitjeje, sepse urgjenca mund të vijë edhe diçka e menjëhershme dhe do të duhet të përballesh me aq staf sa ke, por kjo nuk justifikon dot mungesën e sterilizimit apo dezinfektimit, sepse kjo duhet të ndodhë gjithsesi, qoftë në sallën e urgjencës, qoftë në sallat e operacioneve të planifikuara; madje kemi edhe një koncesion për këtë që është shitur për sukses e tani është nën hetim”, u shpreh mjeku, Ilir Alimehmeti./InsideStory







