Një përgjim i përftuar nga komunikimet në SkyEcc dhe një dëshmi e të penduarit të drejtësisë Erion Alibej hedhin dritë mbi vrasjen e avokatit Ravik Gurra, i cili ishte edhe avokat i fisit Çapja në Elbasan, i goditur grupet rivale, por edhe nga drejtësia për një sagë vrasjesh.
Në bisedat e zbardhura të SKY ECC, përmendet vazhdimisht “Ravigu” emri i avokatit të vrarë Ravik Gurra, i cili u ekzekutua në një atentat në Elbasan. Gjatë komunikimit të Suel Çelës dhe miqve të bandës së tij emri i avokatit të vrarë përmendet për të kërcënuar avokatin që e zëvëndësoi në mbrojtje të Çapjave.
I tillë është rasti kur avokati i Çapjave i quajtur Aldo Shkëmbi i ka dërguar një mesazh gjyqtares Pajtime Fetahu dhe ajo ankohet te Suel Çela, e trembur se do të përfundojë sërish në emisionin Stop në Tv Klan.
Çela e thërrët avokatin Aldo Shkëmbi dhe i thotë të mos përcjellë kërcënimet e Çapjave, përndryshe i thotë “do të të çoj te Ravigu”, një mesazh që nënkupton se është ai i cili ka urdhëruar vrasjen e avokatit dhe se nëse nuk sillet mirë, të njëjtin fat mund t’i rezervojë edhe avokatit të ri të Çapjave.
“Më date 26.06.2020, Xhino Roka komunikon me Klaus Matishin, te cilit i tregon që bashke me “ss”, Marjus Lulaj, kanë takuar avokatin Aldo Shkembi dhe e kane porositur duke i bere presion qe te bënte vetem punen e avokatit dhe jo kercenime, se kercenimet nuk jane pune e avokatit. Xhino i tregon që avokatit Aldo Shkembi i ka folur Marjus Lulajt duke i thene qe bën punën e avokatit ose per ndryshe do e dergoj tek “raviku” duke ju referuar shtetasit Ravik Gurra i vrarë ne vitin 2019“, thuhet në dosje.
Dëshmia e Erion Alibejt
Në dëshminë disa orëshe në GJKKO të bashkëpunëtorit të drejtësisë Erion Alibej për ‘Plumbin e Artë’ ka detaje edhe për vrasjen e avokatit Ravik Gurra, por që gjithsesi duhen prova të tjera për të ngritur akuzë.
Alibej, edhe pse nuk u pyet, tha në sallën e gjyqit se pas vrasjes së avokatit Ravik Gurra në mars të 2019, kishte dyshime se qëndronte grupi i Suel Çelës, një i shumëkërkuar nga SPAK si kreu i një organizate kriminale. Për këtë ai zbardhi një bisedë me Suel Çelën në një kohë kur vetë Alibeaj interesohej për të mësuar kush ia vrau vëllain Endritin dhe xhaxhain Arben Dylgjeri, në masakrën e Bradasheshit.
“I thash Suelit që një nga gjuajtësit është ushtari jot, një shkodran që thirrej “Naqo”. Sueli i shkroi direkt atij. Pastaj në bisedë i thash ‘po më avokat Ravikun ça patët’(?) Më tha ‘i futi hundët shumë tek “Maçi” (Klodian Çopja)’, kam fol shumë aty me Suelin dhe më garantoi se janë Çopjat pas asaj që më ndodhi”, thoshte Alibej.
SPAK, që po heton vrasjen e Ravik Gurrës, nuk ka ende person nën akuzë dhe prej 6 vitesh ngjarja e rëndë kriminale është ende pa autor. Report Tv ka mësuar se deklarata e bashkëpunëtorit të drejtësisë ka dhënë indicie dhe ka vënë në lëvizje SPAK për të shpluhurosur dosjen e bujshme, që krahas dëshmisë të sigurojë edhe prova të tjera për të gjetur urdhëruesit dhe ekzekutorët. Bisedat e protagonistëve në SKYECC mund të jenë një ‘minierë’ për të gjetur informacione dhe sipas burimeve edhe aty po shikohet për detajet e ekzekutimit me një plumb në kokë të avokatit Ravik Gurra.
Por dëshmia e Erion Alibejt të enjten ngriti pikëpyetje të forta mbi shkeljet e kryera nga policia e Shtetit në atë kohë, kur Elbasani u përgjak nga vrasjet. Në kohën kur iu vra vëllai dhe xhaxhai, Erion Alibej që njihet me nofkën “Krymi”, ndodhej në kërkim për plagosjen e Xhoni Rustës. Ai rrëfen se si policia e gjeti në vendin e ngjarjes ku ndodhi masakra në Bradashesh dhe nuk i vuri prangat, por jo vetëm kaq, i ofruan marrëveshje që të dëshmonte për çfarë dinte dhe nuk do e arrestonin, ndërsa flet jo për efektiv të zakonshëm por me emra drejtuesish të lartë.
“Ditën që do përcillja familjarët në banesën e fundit, drejtor në Elbasan ishte Altin Qato. Niko Brahimaj ishte drejtues i Departamentit për Krimet e Rënda. Unë isha në kërkim dhe më vijnë disa efektiv civil, më thanë ‘hajde të deklarosh dhe do të lirojmë sërish të jesh afër familjes’. Shkova, ishte Qato, Brahimaj dhe shefi komisariatit të cilin e dija që ishte i shitur tek Suel Çela. I thashë ‘nuk e dua këtë këtu’, e nxorën jashtë. Më thanë e ‘dimë që je në kërkim, por na ndihmo me ndonjë informacion te kush dyshon’. I thashë ‘do ju duket çudi por mos kanë ngatërruar objektiv, nuk di ku t’ju drejtoj’. Siç ma dhanë fjalën që do përcillja familjarët në banesën e fundit, më liruan. I thashë atij shefit të komisariatit që nxorën jashtë ‘bën mirë të ikësh nga ky qytet’”, tha para trupës gjykuese Eri0n Alibej.
Alibej rrëfen më tej se kishte mësuar që Altin Qato ishte drejt zbardhjes së masakrës, por e larguan nga aty duke e zëvendësuar me Arjan Muçën në krye të policisë së Elbasanit. I penduari dëshmoi se kishte një burim policor që e informonte sa herë i kërkonte foto, emra dhe të dhëna për subjekte të ndryshme, por nuk e rrëfeu emrin. Edhe për këtë rast Report TV u interesua në grupet hetimore dhe përmes burimeve mësoi se edhe ky deklarim po verifikohet pasi drejtuesit e policisë mund të ketë kryer shpërdorim detyre.
Krahas dëshmisë së Alibej, po kërkohen prova të reja dhe se të dhënat që po transkriptohen nga SKY ECC, mund të hedhin më tepër dritë.
Kush ishte Ravik Gurra
Ravik Gurra u vra në 18 korrik 2020 në Elbasan. Ai njihej si avokati, i cili ndër vite kishte përfaqësuar në gjykatë “të fortët” e botës së krimit. Gurra ka mbaruar fakultetin e drejtësisë në Tiranë, ndërsa në vitin 1998 kishte emigruar në Angli.
50-vjeçari ka punuar atje si përkthyes në gjykata, Ministrinë e Emigracionit dhe polici. Në kohën kur ka jetuar në Mbretërinë e Bashkuar, Ravik Gurra ka studiuar për avokati.
50-vjeçari kishte shtetësi britanike dhe jetonte ne Lindje të Londrës bashkë me familjen.
Ai ishte babai i dy vajzave, të cilat jetojnë dhe studiojnë në Angli. Avokati Gurra ka jetuar mes Londrës, ku kishte familjen dhe Elbasanit, ku shpeshherë vinte për t’u kujdesur për nënën e sëmurë.
Ai banonte në një shtëpi 2- katëshe në afërsi të vendit ku u ekzekutua. Gurra ka përfaqësuar në gjykatë shumë të pandehur, por 3 janë çështjet më të forta që ka mbrojtur.
Bëhet fjalë për grupimin “Hakmarrja për drejtësi”, Emiljano Shullazin dhe Endrit Zelën, si dhe disa anëtarë të grupeve kriminale në qytetin e Elbasanit. Hasmëria midis grupeve rivale këtë qytet dyshohet të jetë edhe shkaku i ekzekutimit të avokatit.