Sulltani do tallava, rinia do iluzione të kota

 

Nuk është çështje preference personale, as betejë bindjesh politike të habitesh nga mënyra se si një pjesë e rinisë shqiptare po hyn në politikë. Në një vend që po shpopullohet me ritme të frikshme, në një shoqëri ku ikja ka marrë statusin e një zgjidhjeje, disa të rinj zgjedhin të qëndrojnë – jo për të luftuar, por si skllevër të servilizmit.

Këtu nuk flasim për fjalimet e tyre. Fjalimet mund të jenë të ndërtuara mirë, të shoqëruara me intonacionin e duhur dhe pauzat e menduara si në TED Talk. Por në këtë vend nuk ka mungesë fjalimesh. Ka mungesë rebelimi.

Sepse ata që sot marrin mikrofonin dhe thonë “Ne do ta ndryshojmë këtë vend” nuk e kanë as guximin më të vogël për të sfiduar sulltanatin që i ka vendosur në skenë. Ata nuk i vënë kurrë në dyshim rregullat e lojës, sepse e dinë se pa to nuk do të ishin asgjë më shumë se një zë i humbur në turma. Këta të rinj nuk janë liderë, janë figurantë në një estradë të paracaktuar, që pas fjalimit shpresojnë në një post, një listë kandidatësh, një patronazhues që i thotë “Mirë e the!”

Dhe kush është ai që i dëgjon? Njeriu-parti. Njeriu-shtet. Ai që vulos listat me porosi nga bandat e Durrësit, Elbasanit, Shkodrës, apo Krujës.

Ai që shumicën e deputetëve të qarkut ku bën pjesë i ka në burg ose në përgjimet e SKY/Encro. Ai që ka miqtë më të ngushtë të arratisur, të hetuar, të akuzuar ose të shantazhuar. Ai që e ka kthyer sistemin arsimor në një farsë ku diplomat vlejnë më pak se një bakshish në administratë. Ai që detyron prindërit e rinisë të marrin borxhe për t’i dërguar fëmijët të studiojnë jashtë, duke i dhënë vetes meritat për ikjen e tyre.

Ai që, në vend të hapësirave publike për të rinjtë, ka ngritur kulla dhe koncesione. Ai që për 20 vjet do të mbajë peng çdo prind shqiptar me kredi për një apartament të vogël, në një qytet të mbytur nga ndotja dhe pa asnjë hapësirë për të jetuar. Ai që reformat e tij në drejtësi do t’i detyrojnë këta të rinj të sorollaten me vite për të gjetur drejtësinë.

Dhe më e keqja, ai që i urren këta të rinj më shumë se kushdo tjetër. Ai nuk i sheh si brezin që do ta pasojë, por si kovaçhanë ku farkëtohen servilë të rinj. Ata nuk janë një kërcënim për pushtetin e tij, sepse janë produkti i tij më i suksesshëm.

E kështu, brezi i ri i politikës, që flet për “ndryshim”, është në fakt fotokopja e një realiteti të mykur. Sepse servili zgjedh servilin, mediokri zgjedh mediokrin, derisa një ditë, kur të gjithë të jenë shteruar, edhe idiotët e dobishëm do të zgjedhin dikë të mençur.

Por deri atëherë, vitet më të bukura të jetës do t’ju kenë kaluar duke duartrokitur dhe pritur radhën.

A ia vlen nënshtrimi me çdo çmim? Apo është më mirë të largoheni – jo nga vendi, por nga turma e atyre që i bien dajres për sulltanin që do tallava?

Publikuar nga Publik Media