“Sy më sy” me ekranet e qërruara të Tiranës

Naim Noka

Një paradoks i madh mediatik ndodh çdo mëngjes në televizionet e Tiranës: ndërsa vendi përballet me skandale të njëpasnjëshme korrupsioni, ekranet tona zgjohen duke transmetuar videoselfiet e kryeministrit Edi Rama.

Një akt i pështirë nënshtrimi mediatik, pothuajse të gjitha kanalet televizive rreshtohen në shërbim të propagandës qeveritare, duke i shërbyer si altoparlant një spektakli të njëanshëm që tenton të manipulojë opinionin publik.

Në emisionin e tij të përditshëm në Facebook, të titulluar “Sy më sy”, kryeministri Rama jo vetëm që jep “leksione” mbi korrupsionin, por tenton të diskreditojë Prokurorinë e Posaçme (SPAK) si një instrument të luftës politike.

Me një retorikë të mirëmenduar, ai përpiqet ta paraqesë betejën kundër korrupsionit si një “mobilizim të orkestruar” për të ndotur figurën e qeverisë së tij. Dhe sikur të mos mjaftonte ekspozimi i tij i pandërprerë në platformat personale, media tradicionale e përthith propagandën e tij pa asnjë filtrim kritik.

Mediat e nënshtruara pa kushte  vegla të  pushtetit të Ramës

A është normale që televizione të mëdha kombëtare të shndërrohen në transmetues pa kushte të një monologu të njëanshëm politik? A është e pranueshme që ekrane, të cilat teorikisht duhet të jenë të pavarura, të bëhen thjesht një shtrirje e komunikimit personal të kryeministrit? Përgjigja është e thjeshtë: jo. Por kjo është panorama që kemi sot në Shqipëri.

Vetëm sot kishte 20 urdhëra ndalimi nga SPAK për korrupsion në Universitetit Bujqësor ku ky kryeministër ka bërë propagandë me drejtues dhe stafin që sot janë në pranga .

Në vend që të analizojnë me thellësi dhe paanshmëri akuzat për korrupsion, tenderat e dyshimtë dhe përgjegjësinë e pushtetit në qindra afera që SPAK po heton, televizionet në Tiranë zgjedhin të mbushin minutazhin e tyre me versionin  “koha për tu zgjuar” duke lexuar monologun e kreut të qeverisë.

Nuk ka përballje të fakteve, nuk ka pyetje të vështira, nuk ka gazetarë që sfidojnë narrativën e qeverisë. Vetëm një dorëzim i plotë përballë dominimit të propagandës shtetërore.

Rama dhe “lufta” ndaj SPAK-ut: Përse ka frikë nga hetimet?

Në vend që të mbështesë pa kushte luftën kundër korrupsionit, kryeministri zgjedh të sulmojë dhe delegjitimojë SPAK-un. Ai ankohet për një “mbulim histerik” të temës së korrupsionit, duke tentuar ta paraqesë këtë si një fushatë të qëllimshme kundër tij dhe qeverisë së tij.

Por a nuk është pikërisht qeveria e tij përgjegjëse për administrimin e buxhetit dhe tenderave publikë? A nuk është pikërisht ai që ka premtuar transparencë dhe llogaridhënie?

Duke pohuar se SPAK është krijuar nga Partia Socialiste dhe duke përmendur rolin e Amerikës në formimin e tij, Rama tenton të krijojë një paradoks të çuditshëm: njëkohësisht e shet SPAK-un si sukses të tij dhe e akuzon si një vegël të shantazhit politik. Kjo qasje kontradiktore nuk është asgjë më shumë se një përpjekje për të kontrolluar narrativën dhe për të shmangur debatin e vërtetë mbi përgjegjësitë e qeverisë në aferat korruptive.

Ekranet e kapura: Pse heshtin gazetarët?

Në një vend normal, çdo deklaratë e tillë e një kryeministri do të analizohej, sfidohej dhe do të shkaktonte debat të thelluar. Në Shqipëri, ndodh e kundërta. Një pjesë e mirë e gazetarëve dhe drejtuesve të mediave kryesore heshtin ose, edhe më keq, marrin rolin e amplifikuesve të mesazhit të qeverisë. Në vend që të bëjnë pyetje të vështira, ata zgjedhin të transmetojnë të paprekur çdo fjalë të Ramës, duke i dhuruar atij një platformë pa kosto.

Kjo situatë është e papranueshme dhe e rrezikshme për demokracinë. Kur mediat shndërrohen në mjete propagande të qeverisë, publiku mbetet i painformuar dhe manipulimi bëhet normë. Kjo nuk është gazetari, por një akt kapitullimi i turpshëm përpara pushtetit.

Tani që  drejtësia më në fund po lëviz, është e domosdoshme që mediat të bëjnë punën e tyre siç duhet. Ato duhet të jenë syri kritik i publikut, jo zgjatim i propagandës qeveritare. Ndërsa SPAK po guxon të hetojë korrupsionin në nivelet më të larta, gazetarët duhet të guxojnë të thonë të vërtetën dhe të mos lejojnë që ekrani të shndërrohet në një zgjatim të zyrës së komunikimit të qeverisë ose thënë më troç, lëpirës të neveritshëm të pushtetit dhe qeverisë.

 

Publikuar nga Publik Media