Sylvinho me ‘valixhe në duar’, zbulohet destinacioni i radhës

Facebook
X
WhatsApp
Telegram

E ardhmja e trajnerit të Kombëtares Shqiptare, Sylvinho, mund të marrë një kthesë të papritur drejt Brazilit. Sipas raportimeve të mediave braziliane, ai është përfshirë në listën e kandidatëve për të marrë drejtimin e Corinthians, pas largimit të Dorival Júnior.

Aktualisht, Sylvinho është nën kontratë me FSHF-në deri në fund të muajit korrik, ndërsa ende nuk ka një vendim përfundimtar për të ardhmen e tij në stolin kuqezi. Megjithatë, interesimi nga Brazili ka rikthyer në skenë emrin e tij si një alternativë konkrete për një klub me peshë në futbollin brazilian.

Një ndër arsyet që e bëjnë Sylvinhon një kandidat të fortë është njohja e mirë e ambientit te Corinthians. Ai ka qenë më parë pjesë e klubit, çka do të shmangte një periudhë të gjatë adaptimi, ndryshe nga trajnerë të tjerë që nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë me ekipin.

Drejtuesit e klubit brazilian janë nën presion për të marrë një vendim të shpejtë, pasi skuadra ka përpara sfida të rëndësishme. Në program është debutimi në Copa Libertadores kundër Platense, ndërsa më pas një përballje delikate në kampionat ndaj rivalëve të Palmeiras.

E kaluara e Sylvinhos te Corinthians

Sylvinho ka një histori të lidhur ngushtë me Corinthians, si në fushë ashtu edhe në pankinë. Ai drejtoi ekipin nga maji i vitit 2021 deri më 3 shkurt 2022, periudhë që përfundoi me dorëheqjen e tij pas humbjes ndaj Santos.

Gjatë kësaj kohe, ai zhvilloi 44 ndeshje në krye të skuadrës, duke regjistruar 17 fitore, 14 barazime dhe 13 humbje. Më herët, ai kishte qenë pjesë e klubit edhe si futbollist në vitet 1994–1999.

Kandidatët e tjerë në garë

Megjithatë, gara për stolin e Corinthians mbetet e hapur. Sipas raportimeve, drejtuesit e klubit po shqyrtojnë edhe alternativa të tjera të njohura si Carlos Carvalhal, Bruno Lage, Tite, Fernando Diniz, Marcelo Gallardo dhe Juan Pablo Vojvoda.

Vendimi final pritet të merret në ditët në vijim, ndërsa mbetet për t’u parë nëse Sylvinho do të vijojë aventurën me Shqipërinë apo do të rikthehet në futbollin brazilian.

Publikuar nga Publik Media