Tabaku takime me qytetarët në Ish-Bllok: Zgjidhja është ulja e taksave!

Rritja e çmimeve po e mbyt shtresën e mesme

Kandidatja për deputete nga lista e hapur e Partisë Demokratike në Tiranë, Jorida Tabaku, ka zhvilluar një sërë takimesh me qytetarët në zonën e ish-Bllokut, një nga zonat me aktivitet të lartë ekonomik në kryeqytet. Pavarësisht pamjes dinamike dhe jetës së gjallë, shqetësimet e qytetarëve ishin të qarta: çmimet në rritje, kostot e larta të jetesës dhe të ardhurat në rënie.

Gjatë diskutimeve me banorët, Tabaku theksoi se problemet ekonomike nuk janë thjesht pasojë e tregut, por rezultat i politikave të gabuara fiskale. Ajo nënvizoi se taksat e larta, veçanërisht ato mbi karburantin, kanë shkaktuar një zinxhir rritjesh të çmimeve që rëndon mbi shtresën e mesme dhe më të varfërit.

“Minimumi jetik duhet të jetë të paktën 200 euro në muaj, si hap i parë drejt një standardi më të dinjitetshëm jetese,” u shpreh Tabaku. Ajo shtoi se ulja e taksave do të sjellë jo vetëm çmime më të përballueshme, por edhe rritje të konsumit dhe pagave.

Sipas Tabakut, qeveria aktuale ka zgjedhur të mbushë arkën në kurriz të qytetarëve të ndershëm që punojnë dhe përpiqen të mbajnë familjet e tyre, duke e lënë shtresën e mesme të paguajë gjithnjë e më shumë për gjithçka – nga ushqimi te energjia.

“Ne kemi një plan konkret për të çliruar ekonominë dhe për të kthyer shtetin në shërbim të qytetarit. Shqipëria ka nevojë për një ndryshim që fillon nga ulja e barrës fiskale dhe një politikë që vendos në qendër shtresën e mesme,” theksoi ajo.

Tabaku, e njohur për betejat e saj në mbrojtje të profesionistëve të lirë dhe shtresës së mesme, apeloi për mbështetje në zgjedhjet e 11 majit, duke kërkuar një mandat të drejtpërdrejtë nga qytetarët në listën e hapur.

Publikuar nga Publik Media