Tiranë, 23 Maj 2025 – Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP), z. Florian Sulejmani, priti sot në një takim zyrtar Zëvendësdrejtorin e ICITAP, z. Stephen Fields, i shoqëruar nga Atasheu i ICITAP në Shqipëri, z. Richard Deasy.
Takimi u zhvillua në frymën e forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe kishte në fokus sfidat aktuale në trajtimin e rasteve komplekse, rritjen e kapaciteteve teknologjike dhe profesionale të agjencisë, si edhe thellimin e mbështetjes strategjike në fushën e zbatimit të ligjit.
Z. Sulejmani vlerësoi lart kontributin e vazhdueshëm të programit ICITAP, veçanërisht në asistencën për trajnime profesionale të stafit të AMP, përfshirë trajnimet e specializuara në FBI, pajisjen me teknologji moderne si dhe vizitat studimore në institucionet homologe jashtë vendit. Ai e cilësoi ICITAP si një partner kyç në rritjen e efektivitetit dhe integritetit institucional.
Nga ana e tij, z. Fields përgëzoi drejtuesin e AMP për rezultatet e arritura në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë në përputhje me objektivat strategjikë të Departamentit Amerikan të Shtetit.
Në përmbyllje të takimit, z. Sulejmani konfirmoi angazhimin e plotë të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore për vijimësinë e bashkëpunimit me ICITAP, me synimin për të forcuar më tej besimin institucional dhe atë publik në institucionet ligjzbatuese të vendit.