Verifikime intensive nga Qershori në Shtator
Administrata Tatimore ka zyrtarizuar nisjen e një operacioni kombëtar për kontrollin dhe fiskalizimin e të ardhurave të gjeneruara nga platformat online të qirasë afatshkurtër si AirBnB dhe Booking.com. Duke filluar nga muaji qershor deri në shtator, inspektorët e tatimeve do të jenë në terren për të verifikuar subjektet që ofrojnë akomodim për turistët në mënyrë të paregjistruar ose që nuk deklarojnë të ardhurat reale.
Në fokus të këtij plani janë krahasimi i çmimeve të ofruara në platformat ndërkombëtare me të dhënat e fiskalizimit dhe identifikimi i subjekteve me risk për evazion tatimor. Përveç analizës dixhitale, do të kryhen edhe kontrolle fizike në struktura akomoduese në zonat bregdetare dhe urbane, të cilat përjetojnë fluks të lartë turistësh gjatë verës.
Administrata Tatimore ka nisur gjithashtu bashkëpunimin me autoritetet irlandeze për gjurmimin e individëve që përfitojnë nga këto platforma, por nuk bëjnë deklarimet përkatëse të të ardhurave. Individëve u kërkohet të deklarojnë fitimet përmes sistemit DIVA, në përputhje me ligjin fiskal shqiptar.
Sipas të dhënave më të fundit, në platforma si Booking dhe AirBnB janë aktive mbi 18,200 njësi që ofrojnë qira afatshkurtër. Ndërkohë që ky sektor është shndërruar në një biznes fitimprurës për një pjesë të qytetarëve, për shumë të tjerë është thjesht një burim i dytë të ardhurash. Por tashmë, pa deklarim – nuk ka qetësi, paralajmërojnë Tatimet.