33 Milionë Euro nga Rrjetet Sociale të Padeklaruara? Tatimet thirrje për vetëdeklarim urgjent në DIVA 2024
Publik.al – Administrata Tatimore ka nisur një operacion të gjerë hetimor ndaj 100 individëve dhe subjekteve që kanë përfituar të ardhura përmes platformave sociale si Facebook, TikTok, YouTube, Instagram, Google dhe PayPal, pa i deklaruar ato në organet tatimore.
Sipas njoftimit zyrtar, hetimet janë ndërmarrë nga Drejtoria e Hetimit Tatimor, pas verifikimeve të para që ngrejnë dyshime për një shumë rreth 33 milionë euro të padeklaruara nga aktivitete dixhitale, përfshirë influencues, përmbajtës, pagesa nga reklamat, bashkëpunime ndërkombëtare dhe transferta online.
Tatimet paralajmërojnë se kush nuk vetëdeklaron brenda afateve të vendosura, do të përballet me penalitete të rënda, hetim të thelluar dhe mundësinë e procedimeve administrative e penale.
Administrata rikujton se që prej 29 marsit 2025, është publikuar thirrja për vetëdeklarim nëpërmjet platformës DIVA 2024, ku të gjithë ata që kanë gjeneruar të ardhura online janë të detyruar të raportojnë fitimet e tyre.
Thirrje publike për vetëdeklarim:
Tatimpaguesit që nuk kanë reaguar ende, janë ftuar urgjentisht të përmbushin këtë detyrim ligjor, për të shmangur masa ndëshkuese dhe hetime të thelluara nga strukturat përkatëse.
Ky është paralajmërimi më serioz deri tani nga autoritetet për ata që operojnë në sektorin dixhital, duke treguar se “liria” e rrjeteve sociale nuk përjashton askënd nga detyrimet fiskale.