Ka një fjalë që përsëritet në të gjitha raportet rreth telefonatës mes liderëve europianë dhe Donald Trump: kancelari Friedrich Merz ishte i “shokuar”. Çfarë ndodhi realisht në atë bisedë, ku ishin të pranishëm edhe Giorgia Meloni, Emmanuel Macron, Donald Tusk dhe Keir Starmer, pas telefonatës dypalëshe dy orëshe mes Trump dhe Putin, dihet vetëm nga vetë liderët. Por përfundimi që ka nxjerrë Gjermania është i qartë: Putini nuk ka ndërmend të ndalojë luftën dhe Trump nuk do të mbështesë sanksione të reja, ato që Merz kishte kërkuar në Kiev përkrah Zelenskyt, nëse Kremlini nuk pranonte të hynte në bisedime paqeje.
Telefonata mes Shtëpisë së Bardhë dhe Kremlinit, në Berlin tashmë është pagëzuar si “kthesa e Trump-it”. Një kthesë që në praktikë, edhe pse jo zyrtarisht, e vendos ish-presidentin amerikan në pozicionin e braktisjes së Ukrainës.
Ka qenë Wall Street Journal që e ka raportuar e para, dhe pak më vonë edhe shtypi gjerman e konfirmoi. Trump u ka thënë europianëve se Putin nuk ka ndërmend të ndalë luftën. Ai ndjehet i sigurt për fitoren. Një zyrtar i lartë gjerman, që ka qenë prezent në telefonatë (ose ka lexuar përmbajtjen e saj), i ka thënë Politico-s: “Duket sikur Putini ka nevojë për më shumë kohë për të luftuar – dhe Trump po e ndihmon ta fitojë atë kohë”.
Nga kjo situatë buron edhe toni i ri i qeverisë gjermane. Dje, ministri i Mbrojtjes, Boris Pistorius, në intervistën e tij të parë pas kësaj kthese për FAZ, deklaroi se “Putini nuk dëshiron ende paqe”. Po ashtu ka ndryshuar retorika e Friedrich Merz brenda pak ditësh: “Nuk ka iluzione. Nuk do të ketë një zgjidhje të shpejtë”, tha në Vilnius, ku vizitoi Brigadën e 45-të të blinduar, të parën të vendosur përgjithmonë jashtë territorit gjerman. Në Kancelarinë gjermane mendojnë se do të jetë e vështirë të caktohet një datë apo vend për bisedimet e paqes: “Ky është një proces sapo i nisur”, tha kancelari, “që mund të zgjasë javë, ndoshta edhe muaj”.
Friedrich Merz po mëson me shpejtësi çfarë do të thotë të bësh ultimatume dhe premtime si një lider qeveritar, që pastaj nuk arrin t’i mbajë. 18 sanksionet e reja europiane të paralajmëruara janë bllokuar nga Trump dhe kancelari i ri tashmë është përgënjeshtruar, pasi kishte shpallur “vija të kuqe” që u shpërfillën si nga Rusia, ashtu edhe nga SHBA.
Megjithatë, përkushtimi gjerman është serioz. “Jemi gati të bëjmë më shumë, nëse është e nevojshme: më shumë presion mbi Rusinë dhe më shumë ndihmë për Ukrainën. Fondet nuk do të jenë problem”, ka deklaruar Merz. Ndërsa Pistorius ka përmendur mundësinë e rikthimit të shërbimit ushtarak të detyrueshëm, teksa Gjermania synon të rrisë numrin e trupave: “Nëse arrijmë në një pikë kur kemi më shumë kapacitet se sa regjistrime vullnetare, mund të vendosim për një shërbim të detyrueshëm”.
Parashikimet për atë që po ndodh në terrenin ukrainas janë të zymta. Eksperti ushtarak i njohur Nico Lange, ish-zv/ministër i CDU-së në Ministrinë e Mbrojtjes, është i bindur se Putini “nuk ka kërkuar kurrë armëpushim, por ka përdorur kohën për të krijuar fakte të reja ushtarake” dhe se ofensiva tokësore ka nisur tashmë. Sipas tij, Moska, përveç katër territoreve të aneksuara, do të synojë të avancojë edhe në tre rajone të tjera: Sumy, Kharkiv dhe Dnipropetrovsk, për të krijuar vështirësi të reja për negociatat. Shtatë rajone të diskutueshme, jo më vetëm katër.
Gjermanët dhe europianët kanë një objektiv të qartë: të mbajnë amerikanët të përfshirë. Që në ditët e para të mandatit të tij, Merz ka ndjekur një qasje të butë, duke ndjekur modelin britanik të Starmer-it: të parashikojë kërkesat amerikane dhe të thotë “faleminderit” para kohe. Ai kërkon të vizitojë Shtëpinë e Bardhë, ku pritet të pritet brenda dhjetë ditëve. Por telefonata mbi Ukrainën e ka tronditur — ka qenë “i shokuar” (dhe kjo ndodhi përpara se Trump të njoftonte tarifat 50% mbi produktet e BE-së).
Në qarqet e NATO-s dihet se ndihma amerikane për Ukrainën do të zgjasë deri në verë. Pas kësaj, nëse republikanët në Senat nuk e sfidojnë Trump-in, barra do t’i kalojë Europës – dhe në radhë të parë Gjermanisë. Derisa SHBA të vazhdojë ndarjen e inteligjencës dhe mbështetjen përmes satelitëve Starlink, Europa duhet të jetë në gjendje të mbështesë Ukrainën. Por me Trump-in gjithçka është e mundur, edhe që, pasi t’i ketë kthyer shpinën Ukrainës, të bëjë një kthesë anti-Kremlin. Siç thotë një diplomat gjerman: ajo që po shohim sot ishte “skema më e keqe e mundshme”. Dhe fatkeqësisht, duket se po bëhet realitet. / “Corriere Della Sera”