Tender i dyshimtë në Bashkinë Peqin, fiton oferta më e lartë

Facebook
X
WhatsApp
Telegram

Një denoncim i mbërritur në redaksinë e Publik.al hedh dritë mbi një rast të dyshimtë në Bashkinë Peqin, lidhur me procedurën e prokurimit për “furnizim, shtrim dhe asfaltim të rrugëve”.

Sipas denoncimit, në këtë tender kanë marrë pjesë vetëm dy operatorë ekonomikë, ndërsa në mënyrë të papritur është skualifikuar oferta më e ulët. Në vend të saj, fituese është shpallur oferta më e lartë, me një diferencë prej rreth 120 milionë lekësh më shumë, duke ngritur dyshime serioze për favorizim dhe abuzim me fondet publike.

Denoncuesi thekson se kompania e shpallur fituese është Euroteroma shpk, e cila përmendet edhe në kontekstin e skandaleve të mëparshme në sektorin e infrastrukturës. Sipas të njëjtit denoncim, rreth tre javë më parë, zyrat e kësaj kompanie janë kontrolluar nga oficerët e Byroja Kombëtare e Hetimit.

Ky rast ngre pikëpyetje të forta mbi transparencën dhe ligjshmërinë e procedurave të ndjekura nga autoriteti kontraktor, si dhe kërkon një reagim të menjëhershëm nga institucionet përgjegjëse për të hetuar nëse kemi të bëjmë me një tjetër aferë korruptive në nivel vendor.

Deri në momentin e publikimit, nuk ka një reagim zyrtar nga Bashkia Peqin apo nga organet e hetimit lidhur me këtë çështje.

Denoncimi i plotë:

Përshëndetje!
Mega skandal në Bashkinë Peqin në tenderin “furnizim, shtrim dhe asfaltim për rrugët në Bashkinë Peqin”. Skualifikohet oferta ekonomike më e ulët dhe shpallet fitues oferta me 120 milionë lekë më shumë.

Vetëm dy operatorë në garë dhe shpallet fituese oferta më e lartë, që është kompania Euroteroma shpk, e lidhur me skandalet e Ballukut, të cilët para tre javësh u janë bastisur zyrat nga oficerët e BKH.

Publikuar nga Publik Media