Tenderat e rrugëve turistike në Shkodër, i fiton firma me dy dosje në SPAK

Çifti Rrok dhe Vera Gega, pronarë të firmës “Rroku Guest”, janë shpallur fitues të një tenderi të rëndësishëm nga Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) për mirëmbajtjen e rrugëve turistike në qarkun e Shkodrës – segmente që historikisht kanë qenë të bllokuara për muaj të tërë gjatë dimrit.Më 23 prill 2025, ARRSH-ja shpalli si fitues bashkimin e operatorëve ekonomikë “Rroku Guest” & “DEHA 2010” për lotin 2 të kontratës së mirëmbajtjes me performancë në rrugët “Koplik – Bogë, Bogë – Theth, Dedaj – Razëm”, me një gjatësi totale prej 67.3 kilometrash.Vlera e tenderit kap shifrën e 329 milionë lekëve, ndërsa bashkimi “Rroku Guest” & “DEHA 2010” ka ofruar 247 milionë lekë.

Megjithëse ofertën më të ulët e kishte BOE “Ndërtuesi 2014” & “Varaku E” me 243 milionë lekë, ARRSH i ka shpërblyer me më shumë pikë firmat e përzgjedhura, duke ngritur pikëpyetje mbi kriteret e vlerësimit dhe mënyrën e shpalljes së fituesit.

Dy dosje në SPAK, hetime për punime fiktive dhe abuzime me tendera

“Rroku Guest” është aktualisht nën hetim nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) për dy çështje të ndryshme, të dyja të lidhura me tendera të Bashkisë Tropojë.

Sipas dokumenteve zyrtare, në mars 2024 SPAK regjistroi çështjen penale Nr.47, që lidhet me një tender për rikonstruksionin e disa urave, ku dyshohet për punime fiktive dhe pagesa të pajustifikuara në favor të firmës.

Tenderi në fjalë ka pasur vlerën 145 milionë lekë të vjetra, të cilat janë paguar në llogarinë bankare të “Rroku Guest” më 29 janar 2024, ndërkohë që fatura e shitjes ishte regjistruar me datë 29 dhjetor 2023 – një praktikë që ka ngjallur dyshime për manipulim me dokumentacionin financiar.

Në një tjetër dosje, SPAK ka marrë nën hetim edhe kryetaren e komanduar të Bashkisë Tropojë, Zyra Islamaj, në lidhje me ndërtimin e një ure në fshatin Luzhë.

Sipas kallëzimit të Agim Demiraj, ish-teknik i mirëmbajtjes së rrugëve, Islamaj ka përdorur funksionin publik për të ndërtuar një urë private për motrën e saj, duke shkelur në mënyrë flagrante ligjin dhe duke favorizuar firmën “Rroku Guest” në këtë projekt.

Firma e dhuruar për të shmangur drejtësinë

Pas problemeve me drejtësinë të Rrok Gegës, i dënuar më herët për mashtrim me fatura fiktive, firma “Rroku Guest” i është kaluar përmes një kontrate dhurimi bashkëshortes së tij, Verë Gega, e cila tashmë figuron si administratore e kompanisë.

Megjithatë, emri i Rrok Gegës dhe lidhjet e tij me institucionet vendore mbeten të fuqishme, siç dëshmon edhe përfshirja e përsëritur në tendera publikë në veri të vendit.

Një garë e kontestuar me pasoja për zonat turistike

Rrugët që përfshihen në këtë tender janë të një rëndësie jetike për turizmin verior, sidomos segmentet drejt Bogës, Thethit dhe Razmës, të cilat shpeshherë bëhen të pakalueshme gjatë dimrit.

Në të kaluarën, janë dashur ndërhyrje të ushtrisë për të zhbllokuar rrugët, ndërsa cilësia e mirëmbajtjes ka qenë objekt kritikash nga operatorët turistikë dhe banorët lokalë.

Fakti që tenderi i radhës është dhënë një firme nën hetim dhe që ka ofertuar më shumë sesa konkurrentët e saj, hedh hije të rënda mbi transparencën e procedurave publike dhe kapjen e institucioneve nga interesat e ngushta.

Rrok dhe Vera Gega me dy dosje nga SPAK, Gjyli i ARRSH-së i jep tenderin

Rrok dhe Vera Gega me dy dosje nga SPAK, Gjyli i ARRSH-së i jep tenderin

Ndërkohë, sërish “Rroku Guest” ka një dosje të dytë në SPAK, pasi Prokuroria e Posaçme ka marrë nën hetim kryetaren e komanduar të Bashkisë Tropojë, Zyra Islamaj. Kanë nisur hetimet ndaj zonjës Islamaj, në lidhje me ndërtimin e një ure në fshatin Luzhë, të Tropojës. Islamaj, duke shpërdoruar detyrën, vendosi të ushtrojë pozitën e saj dhe të ndërtojë një urë personale për motrën. Rasti u denoncua nga Agim Demiraj, i cili më herët kishte shërbyer në detyrën e Teknikut të Mirëmbajtjes së Rrugëve në Bashkinë Tropojë.

Publikuar nga Publik Media