Publik.al e lajmëroi me parë kualifikimin e kompanisë PC Store me probleme
“Lufta” vazhdon edhe pse fituesi pritet të jetë po ai.
PC STORE “paracakton” veten si fituese në tenderin e Kuvendit për inteligjencën artificiale
Burime të brendshme nga Kuvendi i Shqipërisë bëjnë me dije se, nga vlerësimi paraprak i ofertave për tenderin 74.5 milionë lekë për sistemin e transkriptimit audio-video të bazuar në inteligjencë artificiale, janë kualifikuar vetëm dy kompani: MCN dhe PC Store.
Kjo e fundit, e njohur për historikun e gjatë me tendera të kontestuar publikë, duket se është në rrugë të sigurt drejt një tjetër fitoreje të parashikueshme.
PC Store dhe tenderët publikë: një marrëdhënie “ekskluzive”
Të dhënat nga tenderat e mëparshëm e paraqesin PC Store jo si një garues mes të tjerëve, por si një klient të privilegjuar të fondeve publike. Me një përqindje suksesi thuajse të pabesueshme – 107 fitore nga 108 tendera – kompania e vëllezërve Elton dhe Vitator Mehmeti ka ndërtuar një rekord që nuk shpjegohet dot as me eksperiencë, as me cilësi, por vetëm me lidhje të errëta jashtë proçedurave të ligjshme të garës.
Nga mashtrimi me skanerët te rikthimi në Kuvend
Në vitin 2024, PC Store u kap në flagrancë duke mashtruar në një tender të AKSHI-t për pajisje skanuese. Kontrolli i Lartë i Shtetit dokumentoi shkeljet, dhe kompania u përjashtua për 7 muaj nga pjesëmarrja në tendera publikë. Por dënimi rezultoi më shumë një pushim i shkurtër sesa një ndëshkim i vërtetë. Sot, ajo jo vetëm që është rikthyer fuqishëm, por është në prag të përfitimit të një kontrate të re, në zemër të vetë sistemit ligjvënës të vendit – në Kuvendin e Shqipërisë.
Një tender në kufi të fondit limit, një tjetër “rastësi” e shëmtuar
Si në shumë raste të tjera, PC Store është pozicionuar me ofertën e saj në kufi të fondit limit – një praktikë që përdoret shpesh për të dhënë një pamje të rreme gare, duke përjashtuar realisht konkurrencën. Kujtojmë se në vitin 2023, në një tender të Bashkisë së Tiranës për pajisje kompjuterike, kompania ofroi 99% të fondit limit, dhe e fitoi. Modeli është i njëjtë, vetëm institucionet ndryshojnë.
Kuvendi si trampolinë për tendera të dyshimtë?
Ironikisht, tenderi i fundit në Kuvend ka objekt modernizimin teknologjik të institucionit. Por nëse e shohim nga afër, “modernizimi” duket të jetë vetëm një mbulesë për kalimin e një kontrate të majme në duart e një kompanie me histori mashtrimi. Ndërkohë që sistemi do transkriptojë fjalimet e deputetëve, askush nuk flet për mënyrën sesi tenderët e Kuvendit mund të po përdoren për qëllime klienteliste.
A do veprojë SPAK dhe KLSH? Apo do heshtin sërish?
Duke pasur parasysh të shkuarën e PC Store, përjashtimin e saj për mashtrim, dhe rekordin e fitoreve të pashpjegueshme, ky tender duhet të bëhet objekt hetimi nga SPAK. Po ashtu, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka përgjegjësinë të auditojë këtë procedurë, për të parë nëse jemi përballë një tjetër manipulimi prokurimor.
Nuk mund të ketë drejtësi, transparencë e ndershmëri në tendera, kur kompani të njollosura kthehen si të preferuarat e institucioneve më të larta të shtetit. Dhe nëse Kuvendi i Shqipërisë , institucioni që përfaqëson sovranitetin popullor lejon një aferë të tillë të kalojë në heshtje, atëherë pyetja është e thjeshtë: kush po e transkripton vërtet demokracinë tonë?