Tenderi Sekret i 2 Milionë Eurove për Mjekësinë, ndërsa Onkologjiku i lë njerëzit të vdesin

AKSHI 2 mln euro pa garë vetëm për mirëmbajtje sistemi

Në një kohë kur pacientët me sëmundje të rënda kurohen me dhimbje, shpresa dhe listë pritjeje – shteti shqiptar preferon të kujdeset për “mirëmbajtjen e sistemit të informacionit” me tendera sekretë. Pa transparencë, pa garë, me para publike që zhduken nga një llogari në tjetrën si në një lojë hije.

Rasti më i fundit vjen nga Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ku është firmosur një kontratë me vlerë 194.400.000 lekë me TVSH, ose rreth 2 milionë euro, për mirëmbajtjen e një sistemi IT të Shëndetit Publik. Kjo procedurë është zhvilluar me “negocim pa shpallje”, një formë që përdoret për raste të jashtëzakonshme. Por pandemia ka kohë që nuk është më justifikim.

Kontrata është lidhur me firmën ONI SHPK, me seli në Shkodër dhe në pronësi të Fatjon dhe Reshat Koçkiçit. Nuk ka asnjë sqarim pse kjo shumë është kaq e lartë, për çfarë konkretisht do përdoret, apo pse duhej bërë në fshehtësi totale.

Nga njëra anë, Onkologjiku i Tiranës është kthyer në një dhomë agonie për pacientët me kancer, ku mungojnë barnat, kurat, kushtet. Mjekët ndjehen të dorëzuar, familjarët të shkatërruar, pacientët të pashpresë. Nga ana tjetër, një klikë politike dhe oligarkike firmos në heshtje miliona për “mirëmbajtje sistemi”.

Ky nuk është investim në shëndetësi – është një shpërdorim i pafytyrë në emër të teknologjisë. Kur populli ka nevojë për ilaçe, ata blejnë serverë. Kur pacientët kërkojnë jetë, ata firmosin vdekje me lapsin e tenderëve të mbyllur.

Dhe askush nuk jep llogari.

Publik.al do të ndjekë me imtësi këtë kontratë dhe do të kërkojë zyrtarisht dokumentet për çdo qindarkë të shpenzuar. Se në këtë vend, më shumë sesa sistem informacioni, mungon një sistem drejtësie.

Një shërbim ndryshe, ku sipas dokumenteve, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), ka bërë një procedurë tjetër të mbyllur, me negocim pa shpallje për tenderin me vlerë rreth 2 milionë euro.

Objekti i tenderit është “mirëmbajtja e sistemit të informacionit të Shëndetit Publik për Qendrën Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’” thuhet në këto dokumente.

Vlera totale përfundimtare e kontratës është plot 194.400.000 lekë me TVSH, ose rreth 2 milionë euro. Këto para do t’i jepen firmës ONI SHPK, me adresë në lagjen “Vasil Shanto” në qytetin e Shkodrës. Firma zotërohet nga Fatjon dhe Reshat Koçkiçi. Kontrata është nënshkruar në datë 20 mars 2025. Mësohet se ka dyshime se e gjitha kjo shumë parash është një shtesë fondi për këtë projekt, teksa nuk jepen të dhëna se përse kjo shumë e majme me një procedurë të mbyllur.

Publikuar nga Publik Media