Tërhiqen nga kullat e kadastrës dhe bibliotekës Dulaku, Abazi dhe Shtufi

Anulohen dy tendera për ndërtim kullash të kryeministrit Rama. Korporata e Investimeve Shqiptare ka bërë dy njoftime njëri pas tjetrit për anulimin e konkurrimit për Godinën e re të Bibliotekës së Kombëtare dhe të Kadastrës. Në rastin e parë janë tërhequr dy kompanitë që ishin në garë, ndërsa në të dytin nuk ka konkurrentë të mjaftueshëm.

Pse u vonua ndërtimi i Bibliotekës?

Procedura për Godinën e re të Bibliotekës Kombëtare, që është lidhur në kontratë me projektin “Zhvillimi multi-funksional në rrugën “Gramoz Pashko”, Tiranë (ish-“vilat gjermane”) ka nisur më 13 mars 2025. Ndërsa një njoftim i ri komunikon vendimin e Korporatës për anulimin e procedurës konkurruese për përzgjedhjen e një Partneri Privat për zbatimin e kontratës “Zhvillimi multifunksional në rrugën “Gramoz Pashko”, Tiranë (ish-“vilat gjermane”)”, si pjesë e Nën-projektit të Investimit “Godina e re e Bibliotekës Kombëtare”.

Arsyeja për anulim është: Numri i pamjaftueshëm i aplikimeve të dorëzuara për Fazën I të procedurës konkurruese brenda afatit për dorëzimin e aplikimeve.

Ky projekt ka nisur qysh më 2020 dhe vazhdimisht ka pasur një mjegullnajë informacioni, pasi kryeministri Rama kërkon të fshehë qëllimet dhe protagonistët me të cilët bën pazare për lejet e kullave.
Projekti i ndërtimit të kullave tek ish-Garda është shfaqur në faqen zyrtare të “Nova Construksion 2012” që ka pronar Ilir Shtufin.
Projekti nuk është bërë publik edhe pse është konceptuar që në vitin 2020. Ai shfaqet në renderët e hotelit 14 katësh që kompania “Nova Construction 2012” po ndërton në zonë. Titullohet “Pieces, Hospitality and The Neë Building of The National Library”.

Projekti parashikon edhe ndërtimin e Qendrës Kombëtare të Kulturës për Fëmijë si dhe Teatrin e ri të Kukullave brenda një ndërtese.

Kjo e fundit është aktualisht duke u ndërtuar. Nëse shtojmë një fakt që në dhjetor 2024, Rama inauguroi Teatrin e Rikonstruktuar të Kukllave tek sheshi Skënderbej, atëherë del se institucionet e piketuara do të mbeten aty ku ishin dhe do të vazhdojë vetëm pjesa e dytë: ndërtimi i kullave për qëllime tregtare.

Nuk janë të qarta arsyet zyrtare se përse është vonuar ndërtimi i Bibliotekës Kombëtare të re. Por qëllimet reale duken qartë. Korporata përfitoi shfrytëzimin e truallit të propozuar me një VKM që u miratua më 9 janar 2025. Ajo e përfshiu në një “thirrje duo për projekt-propozim dhe investim”. Sipas saj parashikohet që bibliotekën e re ta ndërtojë privati në këmbim të një kulle pranë zonës së Qytetit Studenti. Investitorit i kërkohej të ketë stabilitet financiar dhe mundësi likuiditeti për 8.5 milionë euro investim.

A është Ilir Shtufi njeriu për të cilin hartohen planet? Mesa duket në këto lëvizje, anulime dhe mjegullime hyn edhe Pallati i Kulturës, ku ndodhet aktualisht Bibilioteka Kombëtare. Pas saj (tek gropa e Hajdin Sejdisë) është duke ndërtuar kullën gjigande kompania e Ilir Shtufit. Po ashtu, ky vend pranë digës dhe rreth rrotullimit të Liqenit, ku jepet formalisht trualli për ndërtimin e Bibliotekës Kombëtare, është kantieri ku po ngrihet hoteli dhe vazhdon ndërtimet e kullave Nova Group e Ilir Shtufit.

Shtufi është mbingarkuar me leje ndërtimi të dhëna nga Rama dhe Veliaj. Kështu, më  mëe 10 nëntor 2017 “Nova construction 2012” ka përfituar një leje ndërtimi në Rrugën e Kavajës në Tiranë së bashku me shoqërinë “Tirana 1 Konstruksion” për Godinë polifunksionale 2, 4, 16 dhe 25 kate Garden Building.

Me 23 tetor 2019 kompania Nova ka marrë leje për godinë polifunksionale 13 katë mbitokë dhe 3 kate nëntokë në rrugën Mine Peza Tiranë. Më 17mars 2021 kompania Nova ka marrë leje për objektin godinë banimi, hoteleri dhe shërbimesh 16 dhe 17 kate me 5 kate nëntokë, në rrugën Medar Shtylla.

Më 27 korrik 2022 Nova bashkë me LTD Co kanë marrë leje ndërtimi për objektin godinë banimi shërbimi dhe hoteleri 1-4 dhe 8-16 kate dhe me 4 kate nëntokë në rrugën Dritan Hoxha.

Më 8 mars 2023 kompania Nova ka marrë leje për godinë multifunksionale shërbime, hoteleri dhe banimi në Rrugën e Barrikadave.

Më 1 shkurt 2023 Investment and Development Albania, në pronësi të Gerian Kuka, Ilir Shtufi dhe Agim Zeqo ka marrë nga Komiteti i Investimeve Strategjike, statusin e investitorit strategjik për projektin “Green House Korça Resort”.

Kulla e “Tirana Multifunctional Center” e projektuar nga studio daneze Cebra po ndërtohet nga kompania shqiptare, “Nova Construction 2012”. Kulla e re e vendosur në lulishten pas Pallatit të Kulturës do të jetë 185 metra dhe 47 kate, duke u shndërruar në ndërtesën më të lartë në Shqipëri. Në faqen zyrtare, kjo kompani liston një sërë ndërtimesh shumëkatëshe në Tiranë, përfshirë këtu “White Tower” në Komunën e Parisit dhe “Tirana Garden Building” në Rrugën e Kavajës, e ndërtuar mbi vendin ku ndodhej ish-Muzeu i Natyrës.

Ndërkaq, kompania që merr përsipër të ndërtojë Bibliotekën, merr edhe një thelë plus tek Vilat Gjermane. E vendosur pranë institucioneve të rëndësishme arsimore si Kampusi i “Qytetit Studenti”, Kampusi në ndërtim i Kolegjit të Europës dhe një numër fakultetesh, zona karakterizohet nga një miks formash urbane dhe larmi biznesesh e aktivitetesh ekonomike. Sa i përket aksesit, zona gëzon një pozicion mjaft të privilegjuar, në afërsi të Rrugës së Elbasanit (një prej “portave” të kryeqytetit) si dhe Parkut të Liqenit. Aplikimet duhet të dorëzoheshin deri në datë 7 Prill 2025.

Në etapën e parë vlerësohen projekt-idetë arkitekturore e zhvillimit multi-funksional në rrugën “Gramoz Pashko”, Tiranë (ish-“vilat gjermane”) dhe jepen çmimet pёr 5 projekt-idetë e propozuara arkitekturore për një sipërfaqe maksimale për t’u projektuar prej rreth 60,000 metra katrorë. Në etapën e dytë vlerësohen ofertat financiare, ku kriteri përzgjedhës është:

-përqindja më e lartë e sipërfaqjes së ofruar për shtetin, të përllogatitur mbi sipërfaqjen totale të metrave katrorë të zhvilluar në pronën për sipërmarrje në pronësi të Korporatës.

Dulaku tërhiqet nga ndërtimi i kullave për Kadastrën?

Projekti i dytë që është anuluar është “Ndërtimi dhe menaxhimi i godinës së Kadastrës Shqiptare”. Ndërsa titulli i kontratës është “Zhvillimi nëpërmjet sipërmarrjes i LIFT Tower”  Korporata ka marrë vendim për anulimin e procedurës konkurruese të nisur më 20 Nëntor 2024 për përzgjedhjen e një Partneri Privat për zbatimin e kontratës “Zhvillimi nëpërmjet sipërmarrjes i LIFT Tower”.

Arsyeja për anulim është: asnjë prej aplikantëve të ftuar nuk paraqiti ofertë për Fazën II të procedurës brenda afatit për dorëzimin e ofertave të përcaktuar në Ftesën për Ofertë.

Pas një procedure të hapur fillimisht që në nëntor të vitit të kaluar, pas disa shtyrjeve, atëherë kur u duk se do të shpallej fituesi, Korporata e Investimeve Shqiptare (AIC) është detyruar të anulojë procedurën për ndërtimin e “Lift Toëer”, ose siç njihet ndryshe “Kulla e Kadastrës”. Shteti për kullat afër Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit jep bashkë edhe truallin e Kadastrës pas shkollës “Harry Fultz”.

Sipas dokumenteve, në fazën finale, në garë ishin dy kompani “Alko Impex”, në pronësi të Arbër Abazit, nipi i ish-deputetit Sadri Abazi dhe kompania e njohur e ndërtimit “Edil Al”, në pronësi të vëllezërve Dulaku.

Sipas kërkesave të shpallura nga AIC, kompania fituese do të ndërtonte kulla në zonën e 21-dhjetorit, në vendin ku aktualisht janë godinat e Agjencisë së Trajtimit të Pronave dhe Inspektoriatit Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit. Gjithashtu, pjesë e projektit është edhe një pjesë e Inxhinierisë së Ndërtimit.

Por, megjithëse kishin marrë pjesë edhe në takimin informuese, përpara dorëzimit të ofertave, asnjëra nga kompanitë e kualifikuara, nuk kanë dorëzuar një të tillë brenda afateve.

Publikuar nga Publik Media