Nga THethi, Albert Mero, Publik.al
Në rrugën e vetmuar që çon drejt zemrës së Alpeve Shqiptare, këtë mëngjes nuk dëgjoheshin më vetëm tingujt e zogjve dhe fëshfërimat e pyjeve. Ura hyrëse e fshatit Theth ishte bllokuar nga banorët burra, gra, të moshuar të gjithë me lot në sy, me fytyra të rrudhura nga puna dhe vuajtjet, por me qëndrim të palëkundur kundër shembjes së shtëpive të tyre.
“Kemi jetuar këtu kur s’vinte asnjë, tani që erdhi bota, po na nxjerrin jashtë” – thotë një burrë në të pesëdhjetat, me një bastun të thjeshtë dhe sytë e mbushur nga dëshpërimi.
Ai tregon me gisht nga një ndërtesë e vogël prej druri shtëpia e tij për turistë – që është vendosur të shembet nga IKMT si ndërtim pa leje.
Në sfond, buldozerët presin urdhrin për të rinisur punën. Por përpara tyre qëndrojnë njerëz të zakonshëm që nuk kanë investuar në beton, por në shpresë. Në punë. Në turizmin që vetë shteti e inkurajoi për vite me radhë. Dje viktima e radhës ishte një grua që nuk i mban dot lotët teksa shikon rrënojat që mbeten pas shembjes:
Një përplasje e dhimbshme mes shtetit dhe popullit
Që prej së hënës, IKMT ka nisur një operacion për shembjen e 40 ndërtimeve të paligjshme në Theth, përfshirë edhe 12 kabina turistike që u eliminuan vetëm disa ditë më parë. Aksioni nisi pas një denoncimi të vetë kryeministrit Edi Rama, i cili e quajti ndërtimin e tyre të paligjshëm dhe akuzoi Prokurorinë e Shkodrës për mosveprim.
Por ajo që në letra mund të quhet “zbatim ligji”, në terren duket krejt ndryshe. Aty ndodhen njerëz që prej dekadash kanë mbajtur gjallë Thethin, jo me dokumente, por me jetë. Shtëpitë janë të ndërtuara me dru, pa beton, pa luks, por me mund dhe kredi. Tokat janë trashëgimi e brezave. Dhe në mungesë të një shteti funksional për vite të tëra, ata u përpoqën të ndërtojnë të ardhmen me duart e tyre.
Një prej tyre, i përlotur, deklaroi: Kam aty shpenzimet e të gjithë jetës. Janë ndërtu dhe tani po i prishin të gjitha. I kam ndërtu pa beton, të gjitha me tru në tokën time. Kemi kërkuar leje, por nuk ka leje – ndoshta del pas 20 vjetësh. Tokën nuk e kam të blerë, por të trashëguar brez pas brezi. Na ka mbetur veç me vdek. Familja s’ka me çfarë të jetojë. Të gjitha të ardhurat këtu janë derdhur
“Kemi kërkuar leje, por na thanë prit. Kur vjen shteti? Kur të na prishë jetën?” – thotë një grua, ndërsa përpiqet të mbrojë me trupin e saj shtëpinë prej dërrasash, ndërtuar me djersën e viteve.
Turistë që bëhen protestues
Protestës u janë bashkuar edhe shumë turistë – të mahnitur nga natyra, por të tronditur nga ajo çfarë po ndodh.
“Ne ishim këtu për të shijuar një vend të mrekullueshëm. Por nuk mund të qëndrojmë indiferentë kur shohim njerëzit të largohen nga shtëpitë e tyre”thotë një çift nga Gjermania.
Pamjet e tyre duke u bashkuar në protestë janë bërë virale një simbol solidariteti për një vend ku ligji duhet të jetë i drejtë, jo i verbër.
Përplasjet dhe pezullimi i përkohshëm
Tensioni ka qenë i lartë gjatë gjithë mëngjesit. Forcat e shumta të policisë janë përplasur me banorët, ndërsa rruga që lidh Thethin me Shkodrën është bllokuar për disa orë. Situata u qetësua vetëm pas një vendimi të përkohshëm për të pezulluar prishjet – një frymëmarrje e shkurtër për një komunitet në ankth.
Por banorët nuk janë të qetë. Ata thonë se protesta do të përshkallëzohet nëse shteti nuk ofron zgjidhje, nëse nuk dëgjon historitë, shpresat dhe të drejtën e tyre për të jetuar dhe punuar në vendin ku kanë lindur.
Thethi sot nuk është vetëm një destinacion turistik është një simbol i një beteje të madhe mes shpresës dhe burokracisë, mes njerëzve të thjeshtë dhe një shteti që shpesh i harron.
Një shtet që deri dje nuk e dinte ku binte Thethi, sot e gjeti rrugën vetëm për të prishur dhe shkatërruar.
Po shkatrron ekonominë atyre familjeve që shpinë e bënë bujtinë dhe e zhvillune zonën që shteti e kishte harru ndër vite.
Investuan vetë, derdhën djersën e emigrimit në atë zonë, pa asnjë mbështetje.
Pse kështu zhvillohet turizmi zoti Kryeministër, duke u çuar turistëve fadromat, duke përplasur policët përballë banorëve
Mjerim…, lot dhe zhgënjim për banorët e THETHIT!