Tension i ulët dhe pajisje që digjen çdo ditë

Nga redaksia e Publik.al
Thethi një nga ikonat natyrore dhe turistike të Shqipërisë po mbahet gjallë më shumë nga bukuria e maleve dhe vullneti i banorëve sesa nga vëmendja e shtetit. Prej më shumë se tre vitesh, ky fshat i izoluar por gjithnjë e më i vizituar, përballet me mungesë kronike të energjisë elektrike, një problem që jo vetëm dëmton jetesën e banorëve, por edhe saboton direkt industrinë turistike të cilës Shqipëria i ka vënë emrin në flamur.
Premtime bosh, zgjidhje zero
Nga qeveria e deri te drejtuesit lokalë, të gjithë e kanë dëgjuar zërin e banorëve të Thethit por askush nuk ka vepruar. OSHEE është njoftuar, Bashkia është në dijeni, dhe ministrat kanë folur për “potencialin e jashtëzakonshëm të zonës”. Por kjo potencial, për fat të keq, ndriçohet vetëm me llampa nafte dhe gjeneratorë të zhurmshëm. Prej vitesh, ndërprerjet e energjisë ndodhin në mënyrë të përditshme, më së shumti në orët e mbrëmjes, pikërisht kur turistët ndodhen në fshat dhe presin mikpritje.
Banorët janë të qartë: “Jemi të lodhur nga premtimet”. Ata kërkojnë veprime konkrete, jo më justifikime burokratike. Për ta, drita nuk është luks, por kushte minimale për jetesë dhe punë. Ndërsa për turistët, mungesa e energjisë kthehet në përvojë negative, e cila qarkullon më shpejt se çdo reklamë e paguar nga qeveria për “Shqipërinë e bukur”.
Turizëm me gjeneratorë
Në vend të investimeve shtetërore për infrastrukturë moderne, banorët janë detyruar të përdorin gjeneratorë privatë për të mbijetuar. Kjo jo vetëm që rëndon financiarisht, por edhe rrit ndotjen dhe redukton cilësinë e jetës. Ndërkohë, për turistët, të cilët vijnë nga vende ku energjia është një e drejtë bazë, ky realitet është tronditës dhe zhgënjyes.
Në çdo raport ndërkombëtar, Shqipëria renditet si vend me potencial të lartë turistik, por si mund të ndërtohet turizmi mbi rrënojat e neglizhencës shtetërore? Si mund të promovosh një destinacion ku shërbimet bazë mungojnë dhe shteti hesht?
Shteti nuk mund të përfitojë nga bukuritë e natyrës dhe sakrificat e banorëve, pa ofruar asgjë në këmbim. Turizmi nuk është propagandë, është infrastrukturë. Dhe infrastruktura fillon me energjinë elektrike një e drejtë, jo një luks.
Nëse Shqipëria do të jetë një destinacion serioz në hartën turistike europiane, atëherë Thethi nuk mund të trajtohet si një fshat i harruar, ku premtimet shuhen si dritat e natës.
Është koha që autoritetet të veprojnë. Jo për të bërë foto në verë, por për të ndërtuar zgjidhje të qëndrueshme që ndriçojnë Thethin gjatë gjithë vitit.