Tirana blindohet për ndeshjen Shqipëri-Serbi, 2 mijë forca në terren

Për mbarëvajtjen e rendit dhe të sigurisë në ndeshjen e 7 qershorit Shqipëri-Serbi do të jetë numri më i lartë i uniformave të angazhuara për një ndeshje. Mësohet se rreth 2000 forca policie do të jenë të angazhuara për garantimin e rendit, përfshirë njësinë RENEA, FNSH, Antiterrorin dhe SHISH. Siguria më e madhe do të jetë mbi përfaqësuesen serbe që do të shoqërohet me forca të shumta policore dhe me masa të rrepta sigurie nga momenti i mbërritjes në Tiranë deri në largim pas përfundimit të ndeshjes. Antiterrori do të ketë rolin kyç. Ne mbeshtetje te tyre po ashtu do te jete reparti special RENEA qe do te shoqerojë ekipin serb.

Do të ketë masa të rrepta në drejtim të qarkullimit rrugor, të kontrollit të tifozëve në hyrje për në stadium, por edhe të atyre që s’do të mund të hyjnë dot.

Antiterrori do të ketë një rol kyç në këtë operacion, me përgjegjësi të drejtpërdrejtë për kontrollin e perimetrit të stadiumit, monitorimin e pikave hyrëse në territorin shqiptar. Në cdo pike kufitare prej një jave janë dërguar fotot e personave me prirje ekstremiste të cilët nuk do lejohen të futen në territorin shqiptar.

Federata Shqiptare e Futbollit, në bashkëpunim me Shërbimet e Sigurisë së Shtetit, Policinë dhe agjenci të tjera kanë implementuar masa të avancuara sigurie në stadium.
Ndërkohë është konfirmuar se do të ketë masa edhe nga ajri për ndonjë të papritur.
Në stadiumin “Arena Kombëtare” janë instaluar sisteme moderne sigurie që përfshijnë kamera me njohje fytyre “face recognition” dhe kamera të lëvizshme shtesë, që do të monitorojnë çdo lëvizje në tribuna dhe rreth stadiumit në kohë reale.

Policia ka përgatitur një plan kontrolli, që përfshin verifikimin e imtësishëm të biletave dhe dokumenteve të identifikimit të çdo personi që hyn në stadium. Po ashtu mësohet se për të parandaluar çdo rrezik të mundshëm, të gjitha rrugët që çojnë drejt stadiumit do të jenë të bllokuara plotësisht, ndërsa zona përreth do të mbrohet me pajisje antidron, për të shmangur mundësinë e ndonjë ndërhyrjeje të jashtme. Bëhet me dije se në stadium do ketë prezencë të lartë të forcave të policisë dhe njësive antiterror.

Do të përdoren edhe pushkë anti-drone, të vendosura rreth stadiumit për të shmangur çdo kërcënim ajror, i cili mund të destabilizojë situatën.

Publikuar nga Publik Media