Dr. Azis Jata
Nëse dikush do të ngjitej mbi kryeqytetin dhe do të vëzhgonte trafikun nga lart, do të shihte një pamje kaotike: makina të mbërthyera në radhë të gjata, autobusë të ngadaltë dhe qytetarë të irrituar që enden mes rrugëve pa zgjidhje. Një sondazh i fundit që ka bërë “Monitor” me mbi 500 qytetarë të kryeqytetit, konfirmoi atë që çdo banor e përjeton çdo ditë: Tirana është në krizë infrastrukturore.
Një qytet i paralizuar nga trafiku
70% e shoferëve të anketuar raportojnë se shpenzojnë mbi një orë në trafik çdo ditë, ndërsa për disa si Arbri, kjo shifër shkon deri në dy orë në ditë. Me një kompjuter në bordin e makinës, ai ka llogaritur se brenda një jave kalon 25 deri në 30 orë në trafik, duke bërë një rrugë që nuk e kalon 100 km në total. Kjo do të thotë se një qytetar mesatar në Tiranë harxhon mbi 10 ditë në vit vetëm duke pritur në trafik.
Zonat më të ngarkuara?
Askush nuk ka dyshime: Astiri, hyrja e Tiranës, autostrada dhe qendra e qytetit. Ndërsa rrugët zënë e mbushen përtej kapacitetit, një tjetër makth për drejtuesit e mjeteve është parkimi.
Parkimi – Një mision i pamundur dhe i shtrenjtë
Për 84% të të anketuarve, gjetja e një vendi parkimi është një sfidë e përditshme. Në zonat e mbingarkuara të qytetit, kostoja mujore e parkimit ka kaluar 10 mijë lekë, ndërsa për disa, shpenzimet shkojnë deri në 20 mijë lekë në muaj.
Por problemi nuk është vetëm çmimi. Një vend parkimi i lirë në qendër të qytetit është më i rrallë se një vend në tribunat VIP të një ndeshjeje të Kombëtares. Pranë banesës? Mision i pamundur. Pranë vendit të punës? Fat i madh nëse e gjen. Ky realitet i shtyn shumë banorë, si Brunilda, të braktisin makinën dhe të zgjedhin lëvizjen në këmbë, sepse, siç thotë ajo, “Koha e udhëtimit me autobus është thuajse njësoj nëse eci në këmbë.”
Transporti Publik? Një alternativë që nuk funksionon
Teorikisht, një qytet me trafik të rënduar do të duhej të mbështetej tek transporti publik. Por në Tiranë, autobusët janë shpesh një alternativë më e keqe sesa vetë trafiku.
Sondazhi tregoi se cilësia e transportit publik është një nga arsyet kryesore pse qytetarët përdorin makinat private. Autobusët janë të mbipopulluar, pa orare të sakta dhe në kushte të papërshtatshme. Me ndërtimet e reja që vazhdojnë, shumë zona si Don Bosko po bëhen edhe më të bllokuara, duke u kthyer në qytete brenda qytetit, pa infrastrukturë të përshtatshme rrugore.
“Një lëmsh i shëmtuar dhe i rrezikshëm”

Pamja e Tiranës nga perspektiva e një biçiklisti apo këmbësori është edhe më dramatike. Endri, një tjetër qytetar i intervistuar, që përdor biçikletën për të lëvizur, e përshkruan situatën si “një lëmsh i shëmtuar, i vrazhdë, kaotik, me ndotje mjedisore dhe akustike të tmerrshme, dhe i rrezikshëm për të gjithë: këmbësorët, fëmijët, ata me biçikleta, motorë dhe shoferët.”
Dhe ky nuk është një perceptim individual. 97% e të anketuarve e konsiderojnë trafikun në Tiranë të rënduar ose shumë të rënduar, ndërsa vetëm 2.7% mendojnë se situata është normale.
A ka një zgjidhje?
Për të dalë nga kjo krizë infrastrukturore, qytetarët dhanë disa sugjerime konkrete:
1. Përmirësimi i transportit publik – Investime në autobusë të rinj, linja më të shpejta dhe një sistem modern monitorimi të orareve.
2. Ndërtimi i korsive të dedikuara për autobusët dhe biçikletat – Në mënyrë që lëvizja e tyre të jetë më e shpejtë dhe më e sigurt.
3. Rritja e kapaciteteve të parkingjeve publike – Për të reduktuar parkimin kaotik dhe çmimet e larta të privatëve.
4. Rikonstruksioni i rrugëve kryesore – Sidomos në zonat me fluks të madh si hyrjet dhe daljet e qytetit.
5. Kufizimi i ndërtimeve të reja në zona tashmë të mbingarkuara – Për të ndaluar përkeqësimin e trafikut në lagjet që nuk mbështeten nga infrastruktura e duhur.
Nëse këto masa nuk ndërmerren, Tirana do të vazhdojë të jetë një qytet i mbërthyer në trafik, i rrethuar nga ndotja dhe i pafuqishëm për të ofruar një cilësi të mirë jete për qytetarët e saj.
Me ritmin aktual të rritjes së popullsisë dhe ndërtimit, situata vetëm do të përkeqësohet. Nëse nuk veprohet tani, në pak vite lëvizja në Tiranë do të jetë një sfidë edhe më e madhe – për të gjithë.