Dosja kthehet për rigjykim
Një kthesë e fortë ka ndodhur në një nga çështjet më të bujshme të tjetërsimit të pronave në bregdet. Gjykata e Lartë ka vendosur të rrëzojë vendimin e Gjykatës së Apelit Shkodër, duke urdhëruar rishqyrtimin e dosjes nga një trupë tjetër gjykuese në Apelin e Tiranës.
Bëhet fjalë për çështjen e shumëpërfolur të tjetërsimit të tokave në zonën e Ranës së Hedhun, në Shëngjin, ku sipas hetimeve rezulton se janë përfshirë rreth 234 mijë metra katrorë tokë shtetërore ranishte. Ky rast kishte çuar në dënimin e 15 personave, mes tyre zyrtarë dhe qytetarë të përfshirë në skemë.
Ndër emrat më të njohur të përfshirë në këtë dosje janë ish-kryebashkiaku i Lezhës, Fran Frrokaj, si dhe ish-kryetari i Qarkut, Gjok Ndoka, të cilët u dënuan nga Apeli i Shkodrës me nga 3 vite burg secili.
Hetimet për këtë aferë nisën që në vitin 2017, pas një kallëzimi në prokurori për tjetërsimin e rreth 234,548 metrave katrorë tokë ranishte në bregdet. Në fazat e para të procedimit penal u arrestuan 23 persona, ndërsa më pas çështja kaloi për gjykim ndaj 18 të pandehurve në Gjykatën e Shkallës së Parë Lezhë, ku vetëm njëri prej tyre u shpall i pafajshëm.
Paralelisht, për këtë skemë tjetërsimi pronash në zonën bregdetare, ish-zyrtarët Fran Frrokaj dhe Gjok Ndoka janë marrë të pandehur edhe nga SPAK, në kuadër të një hetimi të nisur në vitin 2019.
Vendimi i fundit i Gjykatës së Lartë rikthen në fokus një çështje të rëndësishme për drejtësinë dhe administrimin e pronave publike, duke hapur rrugën për një rivlerësim të plotë të përgjegjësive penale të të përfshirëve.







