Tom Doshi, goditja nga brenda: si po rikonfigurohet balanca e pushtetit në Shkodër dhe më gjerë
Tom Doshi nuk është i zemëruar. Është i organizuar. Dhe i rrezikshëm – për të dy palët.
Landi Çela
Nga një mik i besuar i Edi Ramës, në një opozitar të pakompromis – të paktën në retorikë – Tom Doshi po kryen një manovër të rrallë në politikën shqiptare: goditje të kontrolluar kundër aleatit të vet për të fituar më shumë pushtet.
Nëse dikush e sheh këtë si sherr personal me Benet BECIN, është duke parë vetëm majën e ajsbergut. Në thelb, kjo është një lëvizje strategjike e një lojtari të vjetër që nuk ka ndërmend të dalë nga loja pa rritur aksionet e veta.
Zhgënjimi i simuluar dhe momenti i llogarive të reja
Deklaratat e Tom Doshit në hapjen e fushatës në Shkodër – ku sulmoi si kryetarin socialist të bashkisë, Benet Beci, ashtu edhe qeverinë e Edi Ramës – janë më shumë sesa mllef personal. Janë mesazhe politike të kalibrit të lartë: “Unë nuk jam më satelit. Jam faktor.”
Duke akuzuar gjysmën e qeverisë për korrupsion dhe Benet BECIN si “të lidhur me krimin”, Doshi vendos vijat e reja të fushës: nuk është më thjesht një aleat i PS-së që kërkon “një karrige më shumë” – është një aktor politik më i madh sesa rezultati i partisë së tij.
Pse tani?
Përgjigjja është e thjeshtë: Tom Doshi nuk ka më asgjë për të humbur, por shumë për të fituar.
Shkodra si platforma e presionit kombëtar
Në Shkodër, asnjë forcë nuk ka shumicë absolute në Këshill Bashkiak. Socialistët kanë 18 këshilltarë, PD-ja 12, PSD-ja 11, dhe pjesa tjetër ndahet mes Lulzim Bashës dhe të pavarurve.
Në këtë konstelacion, PSD është ‘kingmaker’ – faktori që bën diferencën për çdo vendim të rëndësishëm në qytet. Dhe Doshi e di mirë këtë. Duke e çuar tonin në ekstrem, ai po i komunikon Edi Ramës diçka shumë të qartë:
“Ose më jep vendin që më takon, ose do të të bllokoj gjithçka. Madje mund të të rrëzoj.”
Në fakt, duke përmendur publikisht që nuk do bëjë kurrë koalicion me Sali Berishën, Doshi po vendos edhe vijën e kuqe për interpretuesit e vjetër të politikës – por kjo nuk është një refuzim i PD-së. Është thjesht një treg i hapur, ku oferta më e lartë është ajo që do fitojë mbështetjen.
Largimet që ndezën fitilin
Një nga shkaqet e shpërthimit të Tom Doshit ishte largimi i dy drejtuesve të PSD-së nga detyrat publike: Gjek Sokoli dhe Rezarta Pode. Të dy përfaqësues të rëndësishëm në Shkodër. Largimi i tyre pa paralajmërim, dhe sidomos pa konsultim me Doshin, u interpretua brenda PSD-së si një tradhti dhe përçmim politik nga Edi Rama dhe Benet Beci.
Në logjikën e Doshit, kjo ishte një shkelje e marrëveshjes së heshtur që ai kishte me PS-në: mbështetje për qeverinë, në këmbim të rolit real në terren.
A është kjo një marrëveshje e re me opozitën?
Formalisht, Doshi përjashton një koalicion me Berishën. Por çfarë ndodh në praktikë?
Me 11 këshilltarë të PSD-së dhe 12 të PD-së, të dyja partitë mund të krijojnë një koalicion funksional opozitar në këshillin bashkiak të Shkodrës. Kjo do të thotë bllokim të çdo vendimi të rëndësishëm të socialistëve në qytet, përfshirë buxhetin, planet urbanistike dhe çështjet me impakt të lartë elektoral.
Nuk kemi të bëjmë me një aleancë politike, por me një koalicion teknik për shantazh dhe rinegocim të pushtetit.
Populizëm i goditur apo program real?
Nëse ndalemi tek pjesa programore e fjalimit të Doshit, retorika është e qartë: sociale, nacionaliste, antikorrupsion. Nga çmimet e larta të analizave PET-skaner, deri tek numri i madh i pacientëve me kancer dhe pensionet 100 euro, ai e pozicionon veten si zëri i popullit të harruar.
Por ky nuk është një program në kuptimin klasik – është një ftesë për një revoltë të heshtur elektorale.
Tom Doshi, një silurë në barkun e aleatit
Tom Doshi ka zgjedhur momentin kur PS është më e brishtë në perceptim publik, dhe PD më e dëshpëruar për të fituar. Në këtë klimë, ai del si mjeti perfekt për të kanalizuar zemërimin e qytetarëve, pa qenë as “non grata” dhe as i lidhur me qeverinë.
Kjo nuk është rebelim. Është rikonfigurim.
Në një skenë ku Edi Rama ka nevojë për çdo votë në çdo bashki, Tom Doshi e ka bërë të qartë: ai nuk është më “një njeri me një karrige”. Është një “sistem më vete”. Dhe kush nuk e llogarit, e paguan.