Trafiku i Tiranës një makth që nuk do të mbarojë kurrë

Amarildo Stoica

Tirana vazhdon të jetë dëshmia më e qartë e kaosit urban dhe e dështimeve në planifikimin afatgjatë. Pavarësisht hapjes së pjesshme të Unazës së Madhe në fund të vitit të kaluar, trafiku në kryeqytet mbetet një sfidë e përditshme për qytetarët. Në vend që të lehtësojë qarkullimin, kjo vepër madhore po ekspozon problemet e thelluara të zhvillimit të Tiranës.

LHyrjet dhe daljet nga Unaza krijojnë një efekt “hinkë” që mbyt qarkullimin, veçanërisht në zonat rezidenciale, ku infrastruktura e ngushtë dhe e paadaptuar nuk përballon dot rritjen demografike dhe fluksin e automjeteve. Në një qytet ku ndërtimet shumohen si kërpudhat pas shiut, rrugët mbeten në të njëjtin nivel të para dy dekadave.

Pse Unaza nuk mjafton?

Ndërtimi i Unazës së Madhe ishte reklamuar si një zgjidhje revolucionare për trafikun. Por kjo pritshmëri u thye sapo qytetarët u përballën me realitetin: mungesa e lidhjeve funksionale me rrjetin urban dhe një mungesë e theksuar e integrimit midis projekteve infrastrukturore dhe planifikimit urban. Rrugët brenda lagjeve, të pamjaftueshme dhe të paorganizuara, vazhdojnë të jenë pikë kritike në kaosin e qarkullimit.

Ndërkohë, Tirana po kthehet gjithnjë e më shumë në një hapësirë ku hapësirat publike dhe infrastruktura e përbashkët sakrifikohen në emër të ndërtimeve të reja. Ky model urbanizimi, që favorizon fitimet afatshkurtra të grupeve të interesit mbi cilësinë e jetës së qytetarëve, është një dështim që e paguajmë çdo ditë me kohë të humbur, stres dhe ndotje.

Politikat e qeverisë: Taksim dhe kufizime, por jo zgjidhje

Numri i mjeteve, Shqipëria ende poshtë niveleve të BE-së

Mbështetur në të dhënat më të fundit të regjistrit të mjeteve, nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR), deri më datë 30 qershor 2024, në Shqipëri rezultonin të regjistruara afërsisht 915 mijë mjete aktive.

Afërsisht 81% e tyre janë autovetura. Kjo do të përkthehej në një numër prej rreth 381 automjetesh për një mijë banorë.(Burimi: DPSHTRR)

Qeveria shqiptare ka prezantuar disa masa për të ulur përdorimin e makinave, përfshirë kufizimin e qarkullimit sipas targave dhe vendosjen e tarifave të reja për parkimin. Por, këto masa duket se janë më shumë penalizuese sesa nxitëse për zgjidhje afatgjata. Kufizimi sipas targave mund të krijojë probleme të reja, si rritja e përdorimit të makinave të vjetra dhe ndotëse apo nxitja e familjeve për të blerë më shumë automjete të lira.

Në vend që të ndihmojë në uljen e ndotjes dhe lehtësimin e trafikut, kjo qasje priret të rëndojë edhe më shumë gjendjen aktuale. Pa investime të prekshme në transportin publik, këto masa mbeten improvizime që nuk adresojnë problemet rrënjësore.

Tirana: Qyteti i makinave të vjetra dhe ajrit të ndotur

Me një moshë mesatare të automjeteve mbi 15 vjet, Tirana është një nga qytetet më të ndotura në rajon. Rreth 73% e makinave përdorin naftë, karburant që rrit ndjeshëm nivelin e ndotjes. Për më tepër, Shqipëria nuk ofron subvencione për blerjen e automjeteve ekologjike, duke e bërë tranzicionin drejt teknologjive të gjelbra praktikisht të pamundur për shumicën e qytetarëve.

Ndërsa në BE çdo vit rritet numri i automjeteve elektrike dhe hibride, në Shqipëri ato përbëjnë vetëm 0.5% të stokut të mjeteve. Ky fakt reflekton mungesën e një vizioni strategjik dhe një infrastrukture mbështetëse për këtë lloj transporti.

Tirana dhe mësimet e humbura nga Europa

Përballë një qyteti që po mbytet nga makinat dhe ndotja, Tirana duhet të kishte ndjekur modelet e qyteteve europiane, që investojnë masivisht në transportin publik dhe nxisin përdorimin e biçikletave apo ecjen më këmbë. Por këtu, edhe projektet më të thjeshta, si korsitë e biçikletave, shpesh realizohen keq ose kthehen në burime konfliktesh me trafikun e zakonshëm.

E ardhmja pa vizion

Nëse kjo situatë vazhdon, Tirana rrezikon të bëhet një qytet i pajetueshëm. Qeveria dhe bashkia duhet të shohin përtej propagandës dhe projekteve që promovojnë fasadat. Një reformë e thellë në transportin publik, politika mbështetëse për makinat ekologjike dhe një model urbanizimi që favorizon njerëzit mbi makinat janë të vetmet zgjidhje për të dalë nga ky kaos.

Përndryshe, trafiku i sotëm do të jetë vetëm fillimi i një makthi të pandalshëm.

Publikuar nga Publik Media