Tregëtarët e vdekjes nuk lindën nga hiçi

Andi Bushati

Skandali i mjekëve të arrestuar, që privonin të sëmurët me kancer nga mjekimi në spitalin publik, për ti shitur më pas ilaçet në mënyrë klandestine dhe me çmime të papërballueshme, është shumë më tepër sesa komploti i shtatë bluzave të bardha në dëm të pacientëve të tyre. Sado të pamoralshëm, makabër, apo kriminalë qofshin ata, prangosja e tyre, përgjimet e dala dhe zbardhja e një skeme që e përflasin të gjithë që ua ka dashur halli të përballen me mjekime të shtrenjta është dëshmi e një sistemi shëndetësor të kalbur. E po të mendosh se shëndetësia është një nga pasqyrat më të pamëshirmshme të zhvillimit të një vendi, aq më tepër kur ai udhëhiqet nga një forcë që shitet si e majtë, rrënjet e të keqes zbresin edhe më thellë.

Kujt nuk i’a ka sjellë fati të ndeshet personalisht me këtë dështim spektakolar në drejtimin e një shteti, kur pyetet për sistemin mjeksor, mban mend kryesisht tre gjëra: premtimin e Edi Ramës para se të vinte në pushtet, për mjeksi falas; daljen e tij tek Ylli Rakipi me një tufë veglash të ndryshkura në dorë për të bërë krahasimin me ndryshimin e madh që ka ndodhur; dhe së fundi, propagandën rreth një kryeministri që brodhi botën si lypsar për vaksina, për të shpëtuar jetën e popullit të vet.

Por kjo zhurmnajë e denjë për regjimet totalitare bëhet pluhur e hi kur e vë përballë realitetit të hidhur të shifrave. Jo vetëm pasi sot të gjithë e kanë kuptuar se ndryshe nga premtimet e bukura kosto e mjekësisë është bërë më e shtrenjtë se kurrë, por edhe për faktin se statistikat tregojnë se ne klasifikohemi më të keq se kushdo në Evropë, madje edhe në rajonin tonë. Shqipëria renditet e fundit në Ballkanin perendimor për numrin e mjekëve për 10 mijë banorë. Sipas OBSH-së ajo numëron rreth 18.8 të tillë ndërkohë që mesatarja e vendeve të zhvilluara të Evropës është tek 40-shja. Po të shohësh një tregues tjetër edhe më simbolik, atë të vdekshmërisë foshnjore, që tregon jo vetëm efikasitetin e sistemit shëndetësor, por edhe gjendjen e varfërisë dhe situatën ekonomiko shoqërore, e vërteta është me e hidhur. Këtë të dhënë që i shërbeu gjeografit dhe sociologut të shquar Emanuel Todd, për të parashikuar që në vitin 1976 rënien e perandorisë sovietike dhe që përdoret sot e gjithë ditën si tregues i shëndetit të një shoqërie, ne e kemi sa dyfishi i rajonit. Në Shqipëri vdesin 8 bebe në çdo 1 mijë lindje.

Edhe me statistikat aq shumë të propoganduara për luftën e suksesshme ndaj kovid 19, përralla e sukseseve rilindase është një gënjeshtër me bisht. Ndonëse Edi Rama e ktheu në kauzë të tij të fushatës elektorale suksesin në përballimin e pandemisë, madje duke manipuluar edhe formularët e vdekjeve, sipas të dhënave të Eurostatit dhe të FMN-së Shqipëria ka pasur rritjen më të lartë të vdekjeve në Europë gjatë vitit 2020. Edhe për fushatën e vaksinimit, për të cilin kryeministri mburrej: “fat që më keni mua”, jemi renditur të parafundit në rajon duke lënë pas vetëm Bosnje Hercegovinën.

Këto janë të dhënat e një sistemi në prag kolapsi, të cilin për hir të së vërtetës rilindja, kur erdhi në pushteti, e trashëgoi në të njëjtën gjendje, por ama për të cilin nuk bëri asgjë për ta përmirësuar. Dhe kjo e ka një shpjegim, pavarësisht investimeve që janë hedhur dhe kopshteve apo fasadave të rinovuara të spitaleve që i tregohen publikut në edicionet e lajmeve.

Që kur erdhi në pushtet, Rama dhe të tijët, i panë koncesionet në shëndetësi, ashtu siç do të projektonin më pas inceneratorët: si një mirierë ari për tu grabitur. Jo më kot ato po hetohen nga nga drejtësia që ka nxjerë deri tani në pah abuzime të paimagjinueshme. Sepse paratë e hedhura gjoja në emër të shëndetësisë falas kanë avulluar. Për Check Up-in, e dështuar ku paguhet edhe për ata që nuk paraqiten, taksapaguesit shqiptarë shpenzojnë mbi tetë milionë euro në vit. Për ofrimin e setit të instrumenteve kirurgjikale, që quhet i konsumuar edhe për një heqje thoi, harxhohen aktualisht rreth 17 milionë euro.Për dializën që kryet në mjediset e spitaleve publike mbi 9 milionë euro ndërsa për laboratëorët dyfishi i kësaj shume.

Pra gjysëm miliardi euro, të hedhura në favor të njerëzve anonimë, shpesh pa lidhje me fushën dhe me procedura krejtësisht të dyshimta. Kjo është e vërteta rrënqethëse e sistemit tonë mjeksor, për të cilin ata që sapo dalin nga bagat e shkollës duan ta braktisin për të vrapuar drejt Gjermanisë, ndërsa një pjesë tjetër, për ta mjelë, siç bënin ata monstrat e onkologjikut.

Kur mëson këtë gjëndje të mjerueshme, kur ndërgjegjësohesh për grabitjen e dirigjuar nga lart, natyrshëm të ngrihen disa pyetje: A nuk është një sprovë e madhe të qëndrosh profesional dhe i moralshëm brenda këtij sistemi? A nuk e tradhëton mungesa e idealizmit të shefave, betimin e rekrutëve të rinj të urdhrit të Hipokratit? A nuk stimulon grykësia e atyre që kanë mbi kokë, oreksin e peshqve të vegjël? A nuk e ysht ky batak vesin?

Asnjëra prej këtyre pyetjeve nuk ka për qëllim të shfajësojë sadopak mostrat e dyshuara se bënin biznes me vdekjen nga kanceri. Nëse i kanë kryer krimet për të cilat akuzohen, ata le të digjen në turrën e druve të moralit publik. Por ama, linçimi i tyre nuk është asgjë më shumë sesa një pjesë e së tërës, sepse sado kriminalë dhe të pashpirt të jenë treguar ata janë njëkohësisht mostrat dhe viktimat e një sistemi të projektuar mbi kokat e tyre, arkitektët e të cilit do vazhdojnë të pjellin të ngjashëm./Laspi.al

Publikuar nga Publik Media