Ervis Doçi, apo i njohur me nofkën “Visi i Pojës” është një personazh me “emër” për drejtësinë shqiptare. Një vit më parë në banesën e këtij shtetasi u zhvilluan kontrolle nga SPAK ku iu sekuestruan rreth 3 milionë euro cash në banesë.
Një operacion i përbashkët mes autoriteteve shqiptare dhe italiane po zhvillohet këtë të mërkurë në disa qytete të vendit, përfshirë Tiranën, Durrësin, Fierin dhe Vlorën, në kuadër të hetimeve për trafik ndërkombëtar droge dhe pastrim parash.
Operacioni i koduar “Ura” është fokusuar në goditjen e një rrjeti të strukturuar kriminal që dyshohet për trafik heroine dhe kokaine nga Ballkani drejt vendeve të Bashkimit Evropian.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se janë lëshuar 52 urdhër-arreste në Shqipëri dhe Itali me akuzat për trafik droge, shpërdorim detyre dhe pastrim parash ndërsa janë sekuestruar pasuri me vlerë miliona euro.Sipas mediave italiane, në listën e urdhër-arresteve ka edhe punonjës policie, avokatë dhe emra të njohur të botës së krimit, të dyshuar për përfshirje në rrjetin e trafikut dhe për shpërdorim detyre.
Një urdhër arrest është lëshuar edhe ndaj Ervis Doçin, i njohur në Durrës si “Visi i Pojës” në kuadër të operacionit antidrogë mes Italisë dhe Shqipërisë.
Ndërkohë, mësohet se deri tani janë arrestuar tre persona në Fier, Vlorë dhe Durrës, ndërsa burimet bëjnë me dije se në këtë operacion janë implikuar njerëz të rëndësishëm në botën e krimit.
Po ashtu urdhër-arreste është dhënë edhe për një avokat në Durrës, për një ish punonjës policie si dhe për një person të identifikuar si Orges Molla.
Kush është Ervis Doçi?
Ervis Doçi, apo i njohur me nofkën “Visi i Pojës” është një personazh me “emër” për drejtësinë shqiptare. Një vit më parë në banesën e këtij shtetasi u zhvilluan kontrolle ndërkohë që SPAK lëshoi dhe një urdhër-arrest. Në kuadër të këtij operacioni asokohe blutë sekuestruan në cilësinë e provës materiale rreth 3 milionë euro cash vetëm në banesën e Ervis Doçit.
Ndërkohë që emri i tij është lakuar në shumë ngjarje kriminale që kanë tronditur vendin tonë. Sakaq, jo më larg se disa javë më parë edhe ish-kryeministri Berisha në daljet e tij televizive i ka bërë thirrje Doçit që të distancohej nga zgjedhjet pasi ashtu si kyredemokrati pretendonte po kërcënon qytetarët.
“Këto zonja dhe zotërinj dallojnë si nata me ditën, si e vërteta me gënjeshtrën me kandidatët e Sakos, me kandidatët e Pojës, me kandidatët e Hajrit, me kandidatët e terroristëve elektoralë, të cilët do marrin ndëshkimin më të merituar pas datës 12 maj.
Këto zgjedhje ndajnë qytetarët, atdhetarët, ndajnë ata që duan Durrësin, ndajnë njerëzit me dinjitet, ndajnë njerëzit e virtytshëm nga ata të cilët komandohen nga bandat dhe krimi dhe besojnë se mund t’i imponojnë Durrësit vullnetin e tyre.Ja ku po e deklaroj para jush, vrimë miu nuk do gjejnë.Kudo që të jenë do i kapim.”, tha Berisha nga Durrësi në 6 Maj.