Presidenti amerikan, Donald Trump, ka vendosur të largojë dy ish-ambasadorët që kanë shërbyer në Shqipëri. Pas largimit të Donald Lu, mësohet se është larguar edhe Yuri Kim.
Ish-ambasadori i SHBA-së në Shqipëri, Donald Lu, është larguar nga posti i tij si asistentsekretar i Shtetit për Çështjet e Azisë Jugore dhe Qendrore, me përfundimin e mandatit të tij më 17 janar 2025.
Lajmi është konfirmuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit.
Mësohet se edhe ish-ambasadorja tjetër e SHBA-së në Shqipëri, Yuri Kim, ka pësuar të njëjtin fat.
Kim mbante deri pak kohë më parë detyrën e Zëvendësndihmëses Kryesore të Sekretarit të Shtetit për çështjet Europiane dhe të Euroazisë, si një diplomate karriere.
Në faqen zyrtare të DASH-it, në këtë departament, së fundmi figurojnë vetëm emrat e punonjësve të tjerë të administratës amerikane. Emri i Kim nuk figuron më në listën e departamentit ku ishte e ngarkuar me detyra më parë. Gjithashtu emri i saj është hequr bashkë me jetëshkrimin e saj nga faqja e DASH.
Donald Trump ishte zotuar që në mandatin e tij të parë se do ta luftonte “Deep State”, që ndodhej sipas tij në Departamentin e Shtetit, një strukturë që sipas tij luante në favor të interesave të errëta të disa grupimeve të caktuara influente në qarqet politike dhe ekonomike globale.
Me këtë Trump shënjestronte kryesisht miliarderin Soros, sipas tij, strumbullari i të gjitha vendimmarrjeve të rëndësishme të demokratëve amerikanë.