Shiko videon🎥
Nga Albert Mero
Sot, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, me pompozitet ka njoftuar përurimin e tunelit të Murrizit, një projekt që për më shumë se një dekadë ka gllabëruar miliona euro nga buxheti i shtetit, duke u shndërruar në një nga shembujt më të pastër të korrupsionit dhe keqmenaxhimit në infrastrukturën shqiptare.
Tuneli i Murrizit nuk është thjesht një vepër infrastrukturore e vonuar dhe e mbingarkuar me kosto, por një skandal që tregon sesi qeveria e Edi Ramës dhe klientët e saj e trajtojnë Shqipërinë si një plaçkë për të zhvat e për të pasuruar një grusht oligarkësh.
Mashtrimi i miliona eurove dhe sabotimi i studimeve gjeologjike
Siç ka denoncuar sot kryetari i PD, Sali Berisha, projekti i tunelit të Murrizit është një histori dështimi nga fillimi në fund. Kompania që ka marrë përsipër ndërtimin e tij, sipas Berishës, nuk ka respektuar as studimet gjeologjike, duke shpërfillur raportet e ekspertëve ndërkombëtarë. Një kompani daneze kishte paralajmëruar se shpimi në nivelin e caktuar ishte i rrezikshëm për shkak të përbërjes së terrenit dhe prurjeve të mëdha ujore në zonë. Por çfarë bëri qeveria Rama? Me arrogancën dhe papërgjegjshmërinë e zakonshme, injoroi paralajmërimet dhe i hapi rrugë një projektimi të gabuar, i cili jo vetëm që vonoi për tre vite, por mbeti një minë me sahat për sigurinë e qytetarëve.
Nga 60 Milionë në 100 milionë Euro – fatura që rritet për shqiptarët
Qeveria Rama ka një strategji të qartë kur bëhet fjalë për tenderat dhe projektet e mëdha: e nis me një kosto, dhe përmes vonesave të qëllimshme e “rishikimeve” e fryn faturën deri në limite absurde. Tuneli i Murrizit nuk bën përjashtim. Fillimisht parashikuar për rreth 60 milionë euro, sot kostoja totale e ndërtimit i ka kaluar 100 milionët. Nga këto, një pjesë e madhe është zhdukur në xhepat e atyre që qeverisin.
Përurimi i turpit: Çfarë po inauguron Balluku?

Sot, kur Balluku del e përuron tunelin, shqiptarët duhet të pyesin: çfarë po inaugurohet në të vërtetë? A është një tunel i sigurt për përdorim, apo një tjetër aferë që ka mbushur xhepat e një grushti njerëzish, ndërsa qytetarët paguajnë faturën? A është ky tuneli që duhet të kishte përfunduar vite më parë, por që për shkak të korrupsionit dhe paaftësisë, zgjati më shumë se çdo projekt tjetër në rajon?
Në vend që të bëjnë ceremonira përurimi, zyrtarët e qeverisë duhet të japin llogari para publikut se përse çdo projekt madhor infrastrukturor në Shqipëri shndërrohet në një oaz korrupsioni dhe dështimi. Sepse nuk është vetëm Tuneli i Murrizit: është Rruga e Arbrit, është Unaza e Madhe, janë rrugët e pambaruara, tenderat me kosto të fryra dhe infrastruktura e rrënuar.
Në çdo vend normal, pas një skandali të tillë do të kishte arrestime dhe dorëheqje. Në Shqipërinë e Edi Ramës, ka vetëm inaugurime false dhe propagandë qeveritare. Dhe shqiptarët, edhe një herë, do të paguajnë faturën e kësaj vjedhjeje masive.