Nora Istrefi dhe Robert Berisha janë rikthyer sërish në fokusin e mediave rozë, pasi janë parë bashkë gjatë një darke në Zvicër, në shoqërinë e një miku të përbashkët.
Dy artistët kanë kaluar një mbrëmje të qetë në një restorant, ku janë shfaqur të relaksuar dhe në humor të mirë. Fotot e publikuara nga kjo dalje kanë nxitur menjëherë reagime në rrjetet sociale, duke ringjallur diskutimet mbi raportin e tyre pas ndarjes.
Edhe pse i dhanë fund martesës disa vite më parë, Nora dhe Roberti kanë ruajtur një marrëdhënie korrekte, kryesisht për hir të vajzës së tyre, Renee. Ata janë parë shpesh së bashku në aktivitete familjare apo momente që lidhen me të bijën, duke treguar një bashkëpunim të qëndrueshëm si prindër.
Dalja e fundit në Zvicër ka shtuar spekulimet mes fansave për një afrimitet të ri mes tyre, apo nëse bëhet thjesht fjalë për një raport të qetë dhe miqësor pas ndarjes. Deri më tani, asnjëri prej tyre nuk ka reaguar publikisht lidhur me këto aludime.
Megjithatë, fakti që ata janë parë të buzëqeshur dhe në shoqëri të mirë ka mjaftuar për të rritur interesin e publikut, i cili vijon ta ndjekë me kureshtje dinamikën mes tyre.
Nëse kjo dalje është shenjë e një ribashkimi apo thjesht një miqësi e konsoliduar, mbetet për t’u parë në vijim.








