U denoncua në emisionin”Stop” për vrasjen e bashkëshortes, ky është gjyqtari që e liroi nga burgu Alfred Gjinin

Emisioni “Stop” trajtoi këtë të martë një rast shumë të rëndë ku një 24-vjeçare është raportuar se është hedhur nga ballkoni në Durrës, në vitin 2021, por babai i saj hedh dyshime se është vrarë nga bashkëshorti.

Lidhur me vrasjen e Anisa Gjinit në Durrës, OPGJ Shkëlqim Osmani, duket se më shumë ka ndihmuar në inskenimin e kësaj ngjarjeje. Ai nuk ka këqyrur banesën brenda për të gjetur shenja të dyshimta, që mund të ndihmonin hetimin. Ai është mjaftuar me 4 fotografi dhe e ka mbyllur me kaq gjithçka.

Për këtë arsye i dyshuari kryesor, bashkëshorti Alfred Gjini, mundi të dalë i pafajshëm pas 6 muajsh burg që urdhëroi prokurorja e Durrësit, Edina Kurti. Në urdhrin e prokurores dyshohet se ngjarja nuk është vetëvrasje me hedhje nga ballkoni, por vrasje.

“Nuk i bëri 6 muaj burg doli… Ai shëtit me makinë, goca ime rri në gropë. Këto gjëra nuk kam për t’ia falur”, tha babai i viktimës.

Petraq Çuri ndryshoi masën e sigurisë nga arrest me burg në detyrim paraqitje për Alfred Gjinin.

Strategji zvarritjeje e këtij procesi vetëm e vetëm për të favorizuar të dyshuarin kryesor, Alfred Gjinin.

“Do pres drejtësinë. Do çoj deri në fund drejtësinë, pastaj edhe unë e kam vendosur çfarë mund të bëj. Nuk mundem të duroj më”, tha babai.

Petraq Çuri dhe prokurorët dyshohet se janë implikuar edhe në heqjen e akuzës për Alfred Gjinun, atë të vrasjes.

Gjyqtari Petraq Çuri është shkarkuar disa ditë më parë nga detyra pasi nuk justifikonte një pasuri me vlerë 700 milionë lekë.

Gjyqtari i Durrësit Petraq Çuri në vitin 2017 liroi nga burgu Alket Hatinë, i konsideruar nga mediat si lordi i drogës në Milano.

Ministrja e Drejtësisë në atë kohë, Etilda Gjonaj, kërkoi shkarkimin nga detyra të Petraq Çurit, por ky i fundit shpëtoi.

Fëmija tregon krimin

“Stop” ka siguruar dhe dëshminë ekskluzive të djalit të mitur të së ndjerës Anisa Gjini. Ai tregon në mënyrë fëminore, se babi e goditi mamin në kokë, derisa asaj i ra të fikët. Fëmija thotë se babai e porositi të mos tregonte se do ta merrte policia.

“Babi po shifte sport. Babi e rrafi mamin dhe pastaj e lagën me ujë. Mua më mbyllën te dhoma me xxxx. I ra të fikët mami dhe babi më tha mos trego”, tregoi fëmija.

Madje fëmija ka bërë një vizatim tek psikologia ku ka pikturuar të ëmën me një shenjë në kokë.

“100% i sigurt që goca është vrarë. Nipi i vogël më është shprehur se kështu erdhi nëna, i hodhën ujë, mami nuk i hapi sytë më. Sot po ta marrin edhe ta pyesin po të njëjta fjalë do thotë. E kam marrë fëmijën e kam çuar, nuk futej fëmija në shtëpi ngaqë ka parë vdekjen e të ëmës me sy. Këtu ku ka pasur shenja tek koka. E përmend, e kërkon. Çdo gjë është shumë e vështirë. Kam pritur shumë nga drejtësia. Nuk dua asgjë përveç drejtësisë. Drejtësinë e dua se ma ka vrarë pa pikën e të keqes gocën. Nuk mund ta vrasësh një fëmijë në atë derexhe siç e ka vrarë ai”, tregoi babai.

Ka dyshime të arsyetueshme që kjo ngjarje nuk është një vetëvrasje, por një vrasje. I dyshuari kryesor është bashkëshorti, Alfred Gjini.

Emisioni “Stop” rindërtoi ngjarje për t’iu përafruar së vërtetës. Sipas deklaratave Alfred Gjini në orën 21:00 ka darkuar së bashku me djalin e vogël dhe nënën. Dyshohet që viktima atë mbrëmje, rreth orës 22:00 të natës Anisa mund të ketë qenë në banjo duke çatuar me një koleg të punës. Alfredi ka parë lëvizjet e dyshimta dhe ka vrapuar pas saj. Sipas provave që janë gjetur në trupin e viktimës, dyshohet që mund të ketë ndodhur një përleshje në banjon e shtëpisë në katin e tretë të banesës.

Viktima është goditur me mjete të forta dhe është mbytur me freksiblin e dushit. Shenjat e gjetura në trupin e Anisës tregon që ka marrë goditje në sup dhe në dorë në momentin e vetëmbrojtjes. Shenjat e tjera në qafë ngjasojnë me freksiblin e dushit ku më pas ajo ka marrë goditjen fatale në kokë dhe ka humbur ndjenjat. Ngjarja është manipuluar dhe e reja është hedhur nga ballkoni për të humbur gjurmët e kësaj vrasjeje.

Publikuar nga Publik Media