U ndalua të publikohej nga ambasada amerikane, Berisha nxjerr vendimin e dënimit të gjyqtares Gjoka në Greqi

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, pas daljes nga SPAK-u ka deklaruar se gjyqtarja Irena Gjoka është dënuar në vendet fqinje për falsifikim.

Berisha tha se gjyqtarja, e cila rezulton me 5 mbiemra, është akuzuar për ryshfete gjysmë milionë euro, në disa raste.

Më tej, kryedemokrati tha se Gjoka është vendosur në krye të gjykatës me urdhër të Ramës.

“Dënimi i Gjokës në vendin fqinj zhbën vendimet e marra nga ajo”, deklaroi Berisha.

Berisha tha se DASH i administratës Biden nuk donte publikimin e dokumentit të dënimit të gjyqtares Irena Gjoka.

Njeriu që kryeson Gjykatën Speciale të shqiptarëve është një e pafytyrë, e pakarakter, e dënuar me burg në vendet fqinje dhe përdorej si skllave nga Edi Rama dhe regjimi aktual. Irena me 5 mbiemra e përfolur për ryshfete gjysmë milionëshe, jo në 1, po në disa raste, rezulton se në vitin 2005 është dënuar nga Kolegji Penal i Janinës me burg dhe gjobë. Kjo mostër në vend se të vuajë dënimet, është lartësuar në kryetaren e Gjykatës Speciale nga Rama dhe është keqpërdorur në shkallë ekstreme nga Altin Dumani. Nga viti 2005, dënim të cilin e ka fshehur, bën të pavlefshëm çdo vendim të saj në përputhje me vendimet e Gjykatës së Strasburgut. Është dënuar për falsifikim nga Kolegji Penal. Është turpi i turpit të Ulsi Manjës, këtij ministri i cili në regjistrimet telefonike rezulton se përveç 500 mijë eurove u kërkon dhe çantën ‘Louis Vuitton’.

Kjo Irena me 5 mbiemra vesh togën e zezë të gjykatës për të mbuluar dënimin dhe falsifikimet e saj.

Kjo është Gjykata Speciale e Tiranës.
Dua të jem i sinqertë.
Dua të falënderoj autoritetet greke të cilat e bënë publik këtë dokument. Por dua të dënoj ndërhyrjen e bërë nga këto autoritete, nga administrata nga Departamenti i Shtetit të administratës Biden që ky dokument të mos shihte dritën se ia merr fytyrën reformës në drejtësi.
Ata kishin hallin e Sali Berishës dhe jo të reformës në drejtësi. Turp e mafie.
Ju garantoj se fatin e kësaj do të ketë pas zgjedhjeve, secili prej tyre që ka kryer dhe ka fshehur krime.
Secilin prej tyre, reforma do t’i nxjerrë të gjithë ata që fshehin krime ne sistemin e drejtësisë”
, tha Berisha.

Berisha kishte dhe dokumentet e dënimit të Irena Gjokës nga Gjykata e Janinës, të cilat i paraqiti për mediat.

Publikuar nga Publik Media