U plake duke abuzuar me pushtetin, por fajin e ka “opozita e kenetës”

Naim Noka

Edi Rama ka kaluar vite të tëra duke ndërtuar një narrativë të vetëshpallur si mjeshtër i fjalës dhe i batutave. Me çdo mundësi që i jepet, ai i kthehet të njëjtës taktikë bajate: të tallë, të ironizojë, të diskreditojë këdo që guxon t’i vërë në dyshim qeverisjen.
Së fundmi, në rubrikën e tij të preferuar të propagandës, “Sy më sy”, i është përgjigjur një qytetareje që i vuri në dukje arrogancën e tij ndaj opozitës. Dhe çfarë bën ai? Shpërthen sërish në një lumë fjalësh të kota, duke mbrojtur veten me një gënjeshtër të pastër: se ai flet për opozitën vetëm një herë në tre muaj!

Të dëgjosh Edi Ramën të flasë për opozitën është si të dëgjosh një diktator që ankohet se opozita nuk e lë rehat. Por e vërteta është se ai e ka ndërtuar gjithë strategjinë e tij politike mbi demonizimin e opozitës, duke e sulmuar pa pushim për vite me radhë. Nuk është opozita që “merret tre vaktet e ditës” me të, por ai që e ka shndërruar luftën ndaj saj në justifikimin e të gjitha dështimeve të tij. Kur ekonomia shembet, kur shqiptarët largohen nga vendi, kur inceneratorët vijojnë të nxjerrin fitime kolosale ndërsa bashkitë falimentojnë – Rama sërish flet për “kenetën” e opozitës.

Por cila është e vërteta? Opozita, me gjithë problemet dhe përçarjet e saj, nuk është ajo që ka krijuar një sistem të korruptuar ku kontratat koncesionare, aferat e inceneratorëve, rrënimi i sistemit të drejtësisë dhe liria e medias janë shndërruar në vegla të qeverisë. Nuk është opozita ajo që ka lejuar që oligarkët të kapin çdo sektor të ekonomisë, duke e kthyer Shqipërinë në një parajsë për tendera të dyshimtë dhe PPP-të e pasurimit të pushtetarëve. Nuk është opozita ajo që ka ndërtuar një regjim ku shantazhi ndaj biznesit dhe klientelizmi janë bërë normë e përditshme.

Edi Rama është kryeministër për 12 vite pa ndërprerje. Ai nuk mund ta fshehë më dështimin e tij pas retorikës boshe dhe metaforave bajate për “zhaba” dhe “pellgje”. Realiteti është ky: Shqipëria është vendi me rrogat më të ulëta në rajon, me nivelin më të lartë të emigracionit në Evropë, me një sistem shëndetësor në kolaps dhe me një sistem arsimor që degradohet përditë. Dhe për këtë nuk mund të fajësohet opozita, por vetëm ai dhe pushteti i tij i betonizuar.

Në vend që të flasë për “bufin  stërplak” dhe të shpikë armiq imagjinarë, Rama duhet të japë llogari për dështimet e tij të njëpasnjëshme. Por ai e di se nuk ka më asgjë për të ofruar, ndaj i mbetet vetëm një armë: propaganda e lodhur dhe batutat e sforcuara. Shqiptarët e dinë tashmë se kush e ka mbajtur vendin peng për kaq gjatë. Dhe ky njeri nuk është opozita, por Edi Rama vetë, që u plak duke abuzuar me pushtetin.

Publikuar nga Publik Media