Trump: Një qytetërim i tërë mund të vdesë sonte!
Teherani: Trump ka 20 orë për t’u dorëzuar ose aleatët e tij do të kthehen në Epokën e Gurit!
Retorika mes Donald Trump dhe zyrtarëve iranianë është përshkallëzuar ndjeshëm, duke shtuar tensionet në një moment delikat për sigurinë ndërkombëtare.
Në një reagim të publikuar në platformën Truth Social, Trump ka paralajmëruar për pasoja të rënda, duke deklaruar: “një qytetërim i tërë mund të zhduket sonte dhe të mos rikthehet më kurrë”. Ai shtoi se nuk dëshiron që kjo të ndodhë, por e konsideron si një mundësi reale nëse situata përshkallëzohet.
Ish-presidenti amerikan la të hapur edhe mundësinë e një marrëveshjeje, duke theksuar: “me një ndryshim të plotë të regjimit dhe me ide më të moderuara, mund të ndodhë diçka revolucionare dhe pozitive”. Në të njëjtin reagim, ai u shpreh se bota ndodhet përballë një momenti vendimtar, duke shtuar se “47 vite shantazh, korrupsion dhe dhunë mund të marrin fund”, ndërsa në fund shprehu mbështetje për popullin iranian dhe shpresën për një të ardhme më të mirë.
Nga ana tjetër, reagimi nga Teherani ka qenë po aq i fortë. Këshilltari i kryetarit të parlamentit iranian, i lidhur me Mohammad Bagher Ghalibaf, reagoi përmes platformës X duke deklaruar:
“Irani e ka fituar qartë dhe pa mëdyshje luftën dhe do të pranojë vetëm një fund që konsolidon fitimet e tij dhe krijon një regjim të ri sigurie në rajon. Situata reale është kjo: Trump ka rreth 20 orë ose për t’iu dorëzuar Iranit ose për t’i bërë aleatët e tij të kthehen në Epokën e Gurit. Ne nuk do të tërhiqemi!”
Përplasja e deklaratave vjen në një kohë kur situata në Lindjen e Mesme mbetet e tensionuar, ndërsa Këshilli i Sigurimit i OKB-së pritet të shqyrtojë dhe të votojë një rezolutë të rëndësishme lidhur me sigurinë në Ngushtica e Hormuzit, një nga nyjet më kritike për tregtinë globale të energjisë.







