Ushtria shqiptare e NATO-s, nuk ka këpucë !

Denoncim i rëndë nga një ushtarak shqiptar

Një ushtarak aktiv i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, me mbi 10 vite shërbim, ka kontaktuar redaksinë tonë për të denoncuar një situatë alarmante: mungesën e theksuar të uniformave dhe këpucëve për efektivët e ushtrisë shqiptare.

“Prej më shumë se dy vitesh nuk kemi marrë asnjë copë uniformë zyrtare. Këpucët na është dashur t’i blejmë vetë, me lekët tona. Uniformë nuk gjejmë dot as në treg. Është turp!”, shkruan efektivi në një mesazh dërguar redaksisë publik.al.

Ai thekson se ndodhemi në një situatë të pajustifikueshme për një vend anëtar të NATO-s. Ndërsa shtetet aleate përmirësojnë çdo vit teknologjitë ushtarake, armatimet dhe logjistikën e trupave të tyre, Shqipëria nuk garanton dot as minimumin – një palë çizme dhe një uniformë për ushtarët e vet.

“E imagjinoni dot të plasi një luftë dhe ne pa uniforma?”, pyet denoncuesi me ironi të hidhur.

Por situata nuk ndalet me kaq. Sipas mesazhit të dërguar, efektivët që guxojnë të shprehin shqetësimet e tyre për mungesat thelbësore përballen me presione dhe kërcënime për transferim. “Na ndalojnë të ankohemi. Nëse flasim, na lëvizin nga vendi i punës, na dënojnë”, pohon ai.

Ky është një turp institucional dhe një alarm i qartë për ministrin e Mbrojtjes Pirro Vengu, për Shtabin e Përgjithshëm të FA, dhe për gjeneralin Arben Kingji, i cili duhet të japë llogari se si janë administruar fondet për ushtrinë dhe ku kanë përfunduar buxhetet për uniformat dhe pajisjet personale të trupave.

Por më shumë se kaq, është një alarm për Presidentin e Republikës, Bajram Begaj, në cilësinë e Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura. Përballë kësaj gjendjeje skandaloze, nuk mjaftojnë as urimet, as retorika diplomatike ndaj Lindjes së Mesme. Forca e një ushtrie nuk matet me propagandë, por me dinjitetin dhe mirëqenien e njerëzve që mbajnë uniformën – atë që sot mungon fizikisht dhe moralisht në Shqipëri.

A do të reagojë më në fund dikush?

Nëse vërtet duam të jemi një shtet serioz, pjesë dinjitoze e NATO-s dhe mbrojtës të territorit tonë, atëherë nuk mund t’u kërkojmë ushtarëve të mbrojnë vendin zbathur dhe me rroba të vjetra. Ky është më shumë se një denoncim  është një alarm kombëtar, që kërkon përgjigje të menjëhershme.

Publikuar nga Publik Media