Edhe pse 42% e popullsisë në Shqipëri klasifikohet në rrezik varfërie, fondet për ndihmën ekonomike janë në rënie të vazhdueshme. Sipas Ministrisë së Financave, në vitin 2024 kjo ndihmë zinte vetëm 1.1% të PBB-së, nga 1.6% që ishte në vitin 2014 — një ulje shqetësuese në kushtet e rritjes së kostove të jetesës.
Shqipëria ka një nga nivelet më të ulëta të mbrojtjes sociale në rajon, edhe pse përballet me nivelin më të lartë të varfërisë relative në Ballkan dhe Europë, sipas Bankës Botërore dhe Eurostat. Ndërkohë që vende të tjera të rajonit rritën ndihmat sociale gjatë dhe pas pandemisë, Shqipëria ka zgjedhur të kufizojë mbështetjen, duke ndihmuar rreth 62 mijë familje me shuma që nuk përmbushin as minimumin jetik (6.85 USD/ditë për person).
Institucionet ndërkombëtare e kanë cilësuar si të domosdoshme rritjen e shpenzimeve sociale nëse Shqipëria synon një rritje ekonomike gjithëpërfshirëse dhe integrimin europian. Përndryshe, varfëria do të thellohet, dhe mbrojtja sociale do të mbetet vetëm në letër.