Vdes në QSUT i dënuari 68-vjeçar, u arrestua për dhunë në familje

Facebook
X
WhatsApp
Telegram

Një i dënuar ka ndërruar jetë në orët e para të mëngjesit në Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ku ishte i shtruar për trajtim mjekësor.

Sipas njoftimit zyrtar, 68-vjeçari Hajri Ramazan Robi ndërroi jetë rreth orës 05:00, ndërsa shkak i vdekjes dyshohet të jetë një arrest kardio-respirator.

Ai ishte i shtruar në Reanimacionin Qendror të QSUT, pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore. Sipas të dhënave, 68-vjeçari vuante nga disa probleme shëndetësore, përfshirë hipertension arterial, diabet mellitus, si dhe një frakturë subtrokanterike në anën e majtë.

Hajri Ramazan Robi ishte arrestuar më 12 mars 2026 për veprën penale “dhunë në familje” dhe më pas ishte transferuar në IEVP Lezhë më 14 mars, në zbatim të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.

Për shkak të gjendjes shëndetësore, më 30 mars ai u dërgua në Qendrën Spitalore të Burgjeve për trajtim, ndërsa më 2 prill u transportua me urgjencë drejt QSUT, ku u vendos në terapi intensive.

Autoritetet bëjnë me dije se janë ndjekur të gjitha procedurat ligjore për raste të tilla, duke u njoftuar institucionet përkatëse, përfshirë strukturat e kontrollit të brendshëm të burgjeve, prokurorinë, policinë dhe familjarët e të ndjerit.

Sipas burimeve zyrtare, trajtimi dhe monitorimi i pacientit janë kryer në përputhje me protokollet mjekësore dhe ligjore në fuqi.

Publikuar nga Publik Media