Vellai i Damian Gjiknurit merr 10 MLN euro nga KLGJ

Tenderi 10 milionë euro i KLGJ-së: Kur teknologjia gjyqësore shërben si trampolinë për klientelën politike të Ramës

Nga: Redaksia Investigative, Publik.al

Një tender me vlerë mbi 10 milionë euro, i shpallur nga Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) për mirëmbajtjen dhe zhvillimin e “Sistemit të Integruar të Menaxhimit të Çështjeve Gjyqësore” (ICMIS), ka përfunduar në duart e dy kompanive të lidhura fort me pushtetin qendror: “Soft & Solution” dhe “Kreatx”.

Në sipërfaqe, kemi të bëjmë me një procedurë normale tenderimi në sektorin e teknologjisë, por thellimi në dokumentacion dhe përbërjen e operatorëve nxjerr në pah një skemë të mirëmenduar të shpërblimit për rrethin e afërt të qeverisë.

Kush janë përfituesit?

“Soft & Solution” është një emër i njohur në qarqet e tenderave të AKSHI-t. Kompania është në pronësi të Ermal Beqirit, i cili është kthyer në një lojtar të fuqishëm të prokurimeve publike në sektorin e teknologjisë. Fati i mirë i Beqirit në tendera publikë nuk përbën surprizë për njohësit e skemave të prokurimeve qeveritare.

Nga ana tjetër, “Kreatx” shpk, e krijuar në vitin 2011, vetëm pak muaj më parë ka pranuar si ortak Panajot Gjiknurin, vëllain e ish-ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, sot deputet i Partisë Socialiste. Ky përkim “rastësor” shton dyshimet për një influencë të qartë politike në përzgjedhjen e kësaj kompanie si fituese.

Skualifikimi misterioz i ofertës më të lirë

Ndërsa oferta fituese nga bashkimi “Soft & Solution – Kreatx” ishte 924.375.000 lekë, në garë ishte edhe një ofertë rreth 1 milion euro më e ulët, saktësisht 818.800.000 lekë, e paraqitur nga bashkimi “Advanced Business Solutions – Data Log”.

Por kjo ofertë, ndonëse më e leverdishmja për buxhetin publik, u skualifikua për arsye që ngjallin dyshime të forta për manipulim të garës në favor të kompanive të parapërcaktuara. Sipas vendimit të komisionit tenderues:

  • Kompanitë përdorën një bazë ligjore të shfuqizuar që nga viti 2020 për marrëveshjen e bashkëpunimit.
  • Në aplikimin e tyre, gabimisht e cilësuan AKSHI-n si autoritet kontraktor, dhe jo KLGJ-në.
  • U konstatuan mangësi në dokumentacionin teknik dhe ekonomik, përfshirë referenca të pasakta dhe dokumente të paplota.

Por për shumë ekspertë të prokurimeve publike, këto “gabime trashanike” janë shpesh të qëllimshme, për të lejuar futjen e një operatori fiktiv në garë, me qëllimin e vetëm për të krijuar idenë e konkurrencës.

Skemë e njohur: klientelizëm me faturë të lartë

E gjithë struktura e këtij tenderi është e ngjashme me dhjetëra raste të tjera ku kompani të lidhura me pushtetin, me ortakë që mbajnë mbiemrat e rëndë të politikës shqiptare, përfitojnë miliona euro përmes prokurimeve të stilizuara për ta.

Ky tender 10 milionë eurosh nuk është thjesht një investim në infrastrukturë dixhitale për drejtësinë – është një mënyrë tjetër e shpërblimit të besnikëve, një rrugë elegante për transferimin e parave publike në xhepat e klientelës së kryeministrit Rama.

KLGJ në shërbim të interesave politike?

Fakti që Këshilli i Lartë Gjyqësor, një strukturë që duhet të garantojë pavarësinë dhe integritetin e drejtësisë, është bërë pjesë e një tenderi me kaq shumë hije dyshimi, shton shqetësimin për ndërthurjen e pushtetit ekzekutiv me drejtësinë, jo vetëm përmes ndikimeve në emërime, por tashmë edhe në miliardat që kalojnë përmes sistemeve të menaxhimit të çështjeve gjyqësore.

Publik.al do të ndjekë me vëmendje zhvillimet lidhur me këtë tender dhe do të kërkojë reagimin e KLGJ-së për kriteret e përjashtimit të ofertës më të ulët, si dhe për përzgjedhjen e dy kompanive që përfaqësojnë simbolin e kapjes së shtetit përmes teknologjisë.

Sepse drejtësia nuk mund të ndërtohet mbi themelet e klientelizmit. As sistemi gjyqësor nuk mund të drejtohet me softuerë të përzgjedhur nga dajat e politikës.

Publikuar nga Publik Media