“Vrasje për herë të dytë”
Asllan Cenalia, babai i efektivit të vrarë Novruz Cenalia, ka reaguar ashpër pas vendimit të Gjykatës së Apelit, e cila hoqi dënimin me burgim të përjetshëm për autorin e vrasjes, Azgan Mërnica, duke e dënuar atë me 35 vite burg.
Në një intervistë për Top Channel, Cenalia e cilësoi vendimin si një “vrasje të dytë”, duke shprehur zhgënjimin e thellë si prind dhe si punonjës policie.
“Vendimi është i papritur për mua. Si prind dhe si punonjës policie nuk e prisja një gjë të tillë. Për mua është një vrasje e dytë. Megjithatë, shpresoj te drejtësia deri në fund dhe do të ndjekim të gjitha rrugët ligjore,” u shpreh ai.
Ai theksoi se çështja do të dërgohet në Gjykatën e Lartë, me shpresën se drejtësia do të vihet në vend.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 13 maj 2024, në fshatin Baltëz, ku Azgan Mërnica vrau me armë zjarri efektivin e Policisë së Shtetit, Novruz Cenalia, pas një konflikti për motive të dobëta.
Fillimisht, Gjykata e Fierit e kishte dënuar autorin me burgim të përjetshëm, ndërsa Apeli i Tiranës vendosi ta ulë dënimin në 35 vite burg, duke rrëzuar vendimin e shkallës së parë.







